Votimi i diasporës, Ademi: Nuk kemi ndërmend t’i detyrojmë të votojnë me zor

06.03.2019 10:26

Diaspora vazhdon të mos jetë shumë e interesuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe organizimi i presidencialeve në diasporë nuk po shkon lehtë.....

Edhe pse e drejta e votimit garantohet me Kushtetutë për çdo shtetas të vendit, pa marrë parasysh ku jetojnë ata, ministri për diasporën, Edmon Ademi, thotë se diaspora duhet të jetë e vetëdijshme për rëndësinë e votës së tyre, por a do të shfrytëzojnë qytetarët e diasporës të drejtën për të votuar ose jo, është vendim i tyre personal.  
 
“Në krahasim nga e kaluara kur ambasadorët kanë shkuar derë më derë që t’i regjistrojnë njerëzit që të votojnë, kjo qeveri ka një qasje tjetër. As unë e as qeveria nuk kanë qëllim që ndonjë me forcë ta detyrojnë që të jetë pjesëmarrës në votime. Të drejtën e votimit e kanë të garantuar gjatë gjithë kohë, u bëjmë thirrje  ta shfrytëzojnë atë të drejtë, të votojnë për atë kandidat që mendojnë që është më i miri. As unë e as qeveria nuk e kemi ndërmend që t’i kapim njerëz për veshi dhe t’i detyrojmë të regjistrohen apo të votojnë”,- deklaroi Edmond Ademi.
 
Qeveria vlerëson se diaspora është një pjesë e rëndësishme për vendin. Tashmë është miratuar strategjia e parë shtetërore  për bashkëpunim me diasporën si dhe plani i  veprimit në një nivel më të lartë, që do të sjellë përfitim reciprok edhe për diasporën edhe për vendin. 
 
“Për herë të parë, në pajtim me nenin 33 nga Ligji për përkrahje të investimeve, përkrahen financiarisht, ndihmohen investimet nga diaspora. Sipas këtij neni,  përkrahja financiare për investime rritet për 10%, që është edhe një stimul shtesë për diasporën”,- tha ministri për diasporën, Edmon Ademi.
 
Strategjia shtetërore për bashkëpunim me diasporën dhe plani i veprimit përfshin periudhën 2019-2023. Strategjia është e bazuar në 4 shtylla, çështjet politike-juridike konsullore, diaspora dhe zhvillimi ekonomik, arsimi–shkenca dhe të rinjtë dhe lidhjet kulturore, si dhe identiteti dhe trashëgimia kulturore.
 
REJHANE BUSHI METAJ