Maqedoni
Partitë shqiptare përplasen edhe për rebalancin e buxhetit
25.08.2014 17:42
Komisioni për Financa dhe Buxhet, ka filluar debatin për rebalancin e buxhetit. Ministri i Financave, Zoran Stavrevski...
Komisioni për Financa dhe Buxhet, ka filluar debatin për rebalancin e buxhetit. Ministri i Financave, Zoran Stavrevski, në arsyetimin e tij tha se ky minirebalanc shkurton të ardhurat dhe shpenzimet për dy për qind, duke shtuar se nga ky rebalanc nuk do të ketë ndryshime në politikën fiskale.
Ai shtoi se një pjesë e mjeteve financiare do t’i dedikohen punimeve për koridorin 10, sigurisë së pagave, Fondit Pensional, Ndihmave Sociale, si dhe mjete shtesë për fatkeqësitë natyrore që kanë ndodhur në disa Komuna.
“Me propozimin e rebalancit të buxhetit, deficit është paraparë të jetë 3.9 për qind e BPV-së, e cila do të mundësojë që Maqedonia të mbetet një vend me borxh më të ulët dhe një normë të rishikuar të rritjes së ekonomisë maqedonase me 3.2 për qind, e cila është parashikuar të jetë midis 3.5 dhe 3.7 për qind”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
Por, ky propozim i rebalancit konfrontoi partitë politike shqiptare, BDI dhe PDSH, ku kjo e fundit, në formë të amendamenteve do t’i kundërvihet këtij rebalanci anti-shqiptarë siç e quajti deputetja, Merale Ferati Uzeiri. Ndërsa Rexhail Ismaili, tha se të gjitha projektet që janë realizuar dhe realizohen në vendbanimet shqiptare, kanë vulën e BDI-së.
“Bëhen shpenzime marramendëse për skulptura, shatërvanë, kampanja, fasada, plazheve jo funksionale, anije statike, kurse nga ana tjetër shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në mjerim, në lloç dhe në baltë, pa infrastrukturë rrugore, pa ambulanca, pa shkolla, pa teatro, po vazhdojnë të jetojnë pa ujë të pijshëm të nderuar qytetarë”- theksoi deputetja, Merale Ferati Uzeiri, nga PDSH.
“Të gjitha të arriturat e shqiptarëve në 13 vitet e fundit kanë një vulë, e ajo është vula e BDI-së. Të gjitha ato projekte janë duke u realizuar dhe do të realizohen në kontinuitet, ato janë nga BDI, nga kjo garniturë politike, ndoshta edhe realisht nuk e ka bë më të mirën për shqiptarët, por duhet ta kemi parasysh një fakt, se kemi startuar nga zero dhe kemi arritur aty ku kemi arritur sot”- potencoi deputeti, Rexhail Ismaili, nga BDI.
Deficiti buxhetor në këtë periudhë arrin në 15.438 miliardë denarë, ose 3.1 për qind të BPV-së. Sipas rregullores, debati parlamentar për rishikimin e propozuar të buxhetit duhet të përfundojë për 10 ditë, ndërsa për të njëjtin janë parashtruar rreth 236 amendamente.
AFRIM TANALLARI
