Maqedoni
DAP: Vazhdojnë keqpërdorimet me llogaritë fiskale
06.03.2019 15:14
Mosdhënia e llogarive fiskale dhe stornimi i dyshimtë i llogarive janë keqpërdorimet më të shpeshta që i ka zbuluar DAP në kontrollet e fundit.....

Vitin e kaluar, nga 7148 kontrolle për fiskalizim, tek 826 janë konstatuar parregullsi këtë vit, vetëm për dy muaj janë zbuluar 215 parregullsi. Analizat kanë treguar se në nivel vjetor stornohen llogari në vlerë prej 1 miliardë.
“Kontrollet kanë treguar se stornohet në më shumë sfera. Ndaj kësaj dukurie nuk janë imunë as personat juridikë të cilët ofrojnë shërbime mortore. Prej këtu doli edhe nevoja për kontrolle të zgjeruara të cilat janë në vazhdim dhe vërtetojnë parregullsi sa i përket obliguesve tatimorë”,- tha drejtoresha e DAP-it, Sanja Lukarevska.
Grupe pune nga DAP dhe Ministria e Financave janë duke punuar në atë se si të realizohet në praktikë paralajmërimi për kthimin e TVSh-së nga 1 korriku.
“Po shqyrtojmë kriteriumet se në cilat produkte do të dedikohet ky projekt si dhe atë deri në cilën shumë mund ta limitojmë kthimin e TVSh-së. Aty ku shumica e qytetarëve do të mund nëpërmjet telefonit ta realizojnë këtë të drejtë për kthimin e TVSh-së, është në rregull, mirëpo për disa grupe të caktuara ku kjo nuk mund të realizohet, po kërkohen zgjidhje të tjera”,- tha drejtoresha e DAP-it, Sanja Lukarevska.
Nëpërmjet kthimit të TVSh-së, çdo qytetar do të jetë vetë inspektor dhe do të blejë aty ku jepen llogari fiskale me qëllim që të ketë kthim të TVSh-së prej 15%. Nëpërmjet kësaj mase, qeveria synon që të ulë edhe ekonominë e zezë. Edhe FMN alarmon se për shkak të mosdhënies së llogarive fiskale në Maqedoninë e Veriut, TVSh-ja nuk mblidhet në tërësi, madje rreth 25% nga të hyrat potenciale të taksave, në vend që të përfundojnë në buxhet, mbeten në ekonominë e zezë.
GAZMEND KURTISHI
