Maqedoni

Davidoviq: PSP ka mekanizma e mundësi t’u rezistojë shtypjeve

06.03.2019 15:35

Me inkorporimin e Prokurorisë Speciale Publike në suaza të hierarkisë në Prokurorinë e Përgjithshme....

Me inkorporimin e Prokurorisë Speciale Publike në suaza të hierarkisë në Prokurorinë e Përgjithshme, PSP do të ketë shumë mundësi dhe  mekanizma për të vepruar. Pas kësaj do të varet nga kredibiliteti i tyre moral nëse do t’i rezistojnë shtypjeve nga jashtë apo do të veprojnë sipas ligjit. Kështu vlerëson eksperti juridik, Zvonko Davidoviq, sipas të cilit, tani PSP do të jetë një kategori kushtetuese, puna e së cilës tani do të kontrollohet në krahasim nga e bëra deri më tani.
 
“Nuk ekziston Qeveri në botë e cila nuk dëshiron të vë dorë mbi gjyqësorin dhe prokurorinë. Ajo është një makineri e fuqishme dhe çdo Qeveri dëshiron ta ketë, sepse shumë lehtë do t’i zgjidhte problemet me oponentët kundërshtarë politikë. Për fat të mirë, në shumë vende gjyqësori dhe prokuroria i rezistojnë asaj shtypje. Këtu nuk është problem politika te mosndërhyrja, ajo do të mundohet, pa marrë parasysh se për cilën qeveri bëhet fjalë, këtu u mbetet gjykatësve dhe prokurorëve t’i rezistojnë asaj shtypje, sepse kanë mekanizma dhe mundësi”,- tha eksperti juridik, Zvonko Davidoviq.
 
Sipas Davidoviqit, që nga formimi i PSP-së e deri në vendimin për inkorporimin e saj në Prokurorinë e Përgjithshme bëhej fjalë për politikë, andaj dhe e njëjta nuk i dha rezultatet dhe pritjet e duhura nga institucionet dhe qytetarët. Qëllimi për të cilin u formua PSP nuk u arrit, vlerëson Davidoviqi.
 
“Mendoj se pritej shumë më tepër, mendohej se me formimin e PSP-së të gjitha ato keqpërdorime nga Qeveria e atëhershme do të dalin në pah dhe do të marrin zgjidhje gjyqësore. Për fat të keq, ajo nuk ndodhi. Ne deri më tani nuk kemi aktvendim për lëndë të PSP-së që kanë të bëjnë me lëndë të mëdha dhe serioze. Gjithashtu, për fat të keq nuk erdhën deri tek disa ndryshime kadrovike dhe njerëzit e njëjtë janë në krye të Gjykatës Supreme, Këshillit Gjyqësor dhe organeve të tjera të cilat akuzoheshin për mosveprim dhe për këtë qëllim u formua dhe PSP-ja. Ndryshim më të madh në strukturën e Prokurorisë Publike nuk ka”,- tha eksperti juridik, Zvonko Davidoviq.
 
Prokuroria Speciale Publike u formua në vitin 2015. Brenda afatit ligjor, Specialja ngriti 20 aktakuza, ndërsa tre raste “Monstra” “Magjar telekom”, “Talir 1” dhe “Talir 2” u ngritën pas këtij afati. Për momentin 21 lëndë janë nën hetimin e prokurorëve të Speciales.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI