Maqedoni

Nepotizmi dhe korrupsioni, analistët: duhet ndryshuar i gjithë sistemi

06.03.2019 15:55

Maqedonia ka një sistem të pandryshuar edhe pse ka ndryshuar shpesh partitë qeverisëse...

Panelistët në “Argument” në TVM2 thonë se nepotizmi që përcillet nga qeveria në qeveri dhe korrupsioni janë dukuri që politika i lufton vetëm deklarativisht dhe mosveprimi në praktikë i detyron qytetarët e thjeshtë, e sidomos të rinjtë, të mendojnë se si më shpejt të braktisin vendin.
 
Politikologu, Samet Shabani, thotë se pushteti ndryshon vazhdimisht ngjyrë, por praktika mbetet e njëjtë.
 
“Në 15 vitet e fundit kemi pasur 12 zgjedhje, kjo është anormale për një shtet funksional. Nëse në njëfarë mënyre aktorët politikë gjejnë mënyrën ta vazhdojnë nepotizmin dhe korrupsionin brenda institucioneve publike, tregon se në fakt kemi problem dhe me vetë sistemin politik”,- tha politikologu, Samet Shabani.
 
Për profesorin, Bashkim Selmani, duhet dekriminalizuar në tërësi i gjithë sistemi, ndryshimet duhen filluar nga gjyqësori.  
 
“Ky është problem esencial, sepse nuk funksionon gjyqësori, pa funksionim të gjyqësorit ne vetëm mund të abuzohemi mes vete, por jo edhe gjendjen faktike, autorin dhe zbardhjen e problemeve reale. Këtu shumë ligje që kemi janë procedurale, janë të kriminalizuara, sistemi është i kriminalizuar”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Analisti, Xhelal Zejneli, nuk sheh zgjidhje nga qeveria aktuale në këtë drejtim.
 
“Krijuesi i problemeve nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes së tyre. Kjo garniturë,  klasë politike, duhet të shkojë në shtëpi. Duhet të vijnë të rinjtë në vend të tyre, duhet të zëvendësohen dhe duhet të ndërrohen”,- tha analisti, Xhelal Zejneli.
 
Një nga hallkat e sistemit që nuk ka funksionuar ka qenë presidenca. Panelistët u dakorduan se vendit i duhet një president ndryshe nga ai aktuali. 
 
MERAL ISMAILI