Maqedoni

Lufta kundër korrupsionit, rritet bashkëpunimi mes institucioneve

06.03.2019 16:06

Korrupsioni vazhdon të mbetet një ndër pikat e ndjeshme të shoqërisë në Maqedoninë e Veriut....

Komisioni Anti-korrupsion vazhdon të ankohet se institucionet nuk bashkëpunojnë sa duhet me ta. Kjo pritet të ndryshojë së shpejti, pasi tashmë Anti-korrupsioni do të mund të shfrytëzojë sistemin për përpunimin e të dhënave statistikore. Komisioni Anti-korrupsion, MPB dhe Ministria për Shoqëri Informatike nënshkruan memorandum bashkëpunimi për shfrytëzimin e softuerit të ri, duke e cilësuar këtë hap si tregues se kjo qeveri angazhohet seriozisht në luftimin e korrupsionit. 
 
“Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e rëndë, por që kërkon një koordinim të ngushtë në mes institucioneve”,- tha ministri i shoqërisë informative, Damjan Mançevski.
 
“Me këtë sistem ju mundësohet institucioneve që në mënyrë bazike statistikore të kenë të dhëna për ndonjë dyshim eventual për korrupsion apo larje të parave”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
 
“Me këtë sistem do të lehtësohet kërkimi i të dhënave statistikore për të gjitha lëndët e filluara për dyshim për korrupsion dhe do të përcillet e gjitha rruga e tyre që nga fillimi e deri në përfundim të rastit përmes rrugës gjyqësore, por edhe eventualisht konfiskimi i pasurisë”,- tha drejtoresha e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska.
 
Përveç të dhënave në softuerin e ri, me ndryshimet në Ligjin për bankat, Anti-korrupsioni do të ketë qasje edhe në llogaritë bankare. Ndryshimet ligjore veç më janë propozuar në Kuvend.
 
FITIM KRYEZIU