Maqedoni
Ende të pandryshuara AShAM dhe Armata, veriore dhe kombëtare në vend të Maqedonia
06.03.2019 16:29
136 institucione shtetërore dhe publike do të emërohen në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese....

Në të gjitha rastet kur tek emri i institucionit qëndron emri Republika e Maqedonisë, ai do të ndryshohet në Republika e Maqedonisë së Veriut. Në raste kur bëhet fjalë për institucion me karakter kombëtar e në emër përfshihet mbiemri “maqedonas/e”, atëherë ai ndërrohet me “kombëtar”. Ndryshimet për Radio Televizionin e Maqedonisë do të thonë se emri i servisit publik tani e tutje do të jetë Radio Televizioni Kombëtar.
Mbiemri “maqedonas/e” mbetet vetëm te institucionet të cilat identifikojnë identitetin kombëtar maqedonas, siç është rasti me Teatrin Popullor. Himni do të mbetet i pandryshuar, për emërimin e disa institucioneve ende vazhdojnë bisedimet, thekson zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
“Me akademikët ende janë në rrjedhë bisedimet për emërimin e AShAM-it dhe kur do të ketë informata konkrete, ato do t’i kumtohen opinionit. Ende bisedohet edhe për emrin e ri të Armatës së Maqedonisë. Himni, emrat e qyteteve Makedonski Brod dhe Makedonska Kamenicë do mbeten të pandryshuara”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Qeveria iu rekomandoi institucioneve të kontrollojnë ndryshimet e të gjitha shënimeve digjitale, siç janë logot, memorandumet, komunikimet elektronike, ueb faqet dhe materialet e shtypura. Të gjitha institucionet obligohen të bëjnë ndryshimet e nevojshme në tabelat në hyrjet e tyre.
“Të gjitha institucionet të bëjnë ndryshimin e tabelave në hyrje të institucioneve lidhur me emrin e shtetit në pajtim me amendamentet 33 - 34- 35 - 36 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ligjit kushtetues për zbatimin e këtyre amendamenteve dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha.
Institucionet janë të obliguara t’i ndryshojnë emrat në afat katërmujor, afat i cili veç më po rrjedh, ndërkohë që ndryshimi i emrave financohet nga buxheti shtetëror.
FLUTURA LATIFI
