Maqedoni
“Dhuna në Qendër”, prezantohen video xhirimet nga mediat. Rastet e PSP-së, anulohet “Titanik” dhe “Lëndina”
06.03.2019 16:42
Video xhirimet nga mediat u prezantuan në seancën e radhës së gjykimit për rastin “Dhuna në Qendër”...

Për ish ministrin e transportit, Mile Janakievskin, ajo që ndodhi në mbledhjen e këshillit të komunës Qendër gjatë diskutimeve për planin e ri urban, nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që ndodhi gjatë “Revolucionit laraman”, ku protestuesit ngjyrosën institucionet dhe u konfrontuan me policinë.
Bashkë me Janakievskin, në rastin e njohur si “Shuplaka”, akuzohen edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe deputetja aktuale e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, për nxitje dhe ushtrim të akteve të dhunës ndaj ish kryetarit të komunës Qendër, Andrej Zhernovski, dhe këshilltarëve të LSDM-në në opozitë në atë kohë.
Pjesëmarrja e Janakievskit në rastin “Dhuna në Qendër” detyroi gjykatën të anulojë rastin tjetër “Titanik”, në të cilin Janakievski sërish është në mesin e të pandehurve bashkë me 21 persona, përfshirë ish kryeministrin Gruevski, ish-ministren e brendshme, Gordana Jankullovskën, Martin Protugjerin, Kiril Bozhinovskin etj.
Nuk u dha sqarim përse dy seancat me të njëjtin të pandehur janë caktuar në të njëjtën kohë, por seanca e radhës për “Titanik” u caktua për 8 mars.
U anulua për më 29 mars edhe rasti i tretë i PSP-së për sot “Lëndina”, për shkak të mungesës së të akuzuarit, Dragan Pavlloviq – Latas, për arsye shëndetësore.
Në këtë rast, të akuzuar bashkë me Latasin janë edhe vëllezërit e tij, Sërgjan dhe Zvezdan, për ndërtimin e paligjshëm të tre vilave në Zelenikovë, edhe pse nuk posedonin lejet e nevojshme për ndërtim.
GAZMEND REXHEPI
