Maqedoni
Statusi i PSP-së, Janeva: Edhe pa “bomba” do të kemi lëndë të reja
06.03.2019 16:56
PSP do të mund të vazhdojë hetimet dhe akuzat që i ka ngritur brenda aftit kohor prej 18 muajsh....

PSP do të mund të vazhdojë hetimet dhe akuzat që i ka ngritur brenda aftit kohor prej 18 muajsh, por materialet e përgjuara do të mund të përdoren si dëshmi vetëm në rastet për të cilat Specialja ka ngritur aktakuza brenda afatit ligjor të 30 qershorit të vitit 2017. Miratimi i Ligjit i mundëson PSP-së funksionimin në të ardhmen. Specialja do të vazhdojë të ndjekë korrupsionin në radhët e funksionarëve të lartë, madje paralajmëron raste të tjera më të mëdha se rastet aktuale.
“Dikush mund të shpëtojë, dikush plus mund të akuzohet, gjithçka është e mundur. Ne jemi të kënaqur që po zgjerohen kompetencat tona dhe nuk jemi të kufizuar vetëm me “bombat”. Tani në disa raste parahetimore do të hapim edhe lëndë më të mëdha se sa këto që i kemi”,- tha kryeprokurorja në PSP, Katica Janeva.
Për Janevën është me rëndësi vazhdimi i procedurave, kjo vlen për lëndën “Perandoria”, për regjistrin e dështuar të popullsisë etj. Janeva pranon se “bombat” kanë shkaktuar problem në gjykata kur nuk pranoheshin si dëshmi.
“PSP në hulumtimet e saj është munduar të paraqesë sa më shumë dëshmi materiale në rastet që kanë qenë të lidhura me “bombat”, ndoshta “bombat” lehtësuan apo qartësuan disa çështje lidhur me materialet dhe dëshmitë verbale, por vlerësoj se mënyra e punës pa “bombat” është sfidë për PSP-në dhe do të mundohemi të jemi të suksesshëm në punë tonë”,- tha kryeprokurorja në PSP, Katica Janeva.
Për prokurorin publik, Jovevski, ligji i ri për Prokurorinë Themelore Publike ku inkorporohet PSP është bërë në përputhje me rregullativat ligjore.
“Mendoj se në vendimin e tanishëm janë përfshirë ato rregullativa dhe mundëson funksionimin e mëtutjeshëm të PSP-së edhe të Prokurorisë Publike. Gjithçka që nuk do të mund ta proceson PSP ndërsa mund të procedohet, do ta marrë prokuroria kompetente, varësisht nga vepra penale për të cilën udhëhiqet procedurë”,- u shpreh prokurorin publik, Lubomir Joveski.
Ministrja Deskovska pohon se askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë.
“Nuk ofron kurrfarë amnistie të fshehur por të gjitha procedurat që kanë filluar para dhe të cilat janë në fazën e akuzave, në fazën e hetimeve, apo në fazën e parahetimeve, në pajtim me ligjin e ri, do të vazhdojnë”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.
Por, shumica parlamentare ende nuk i ka votat për të kaluar ligjin në Kuvend.
“Ligji duhet të miratohet me 2/3 e votave, shumicë kjo të cilën akoma nuk e kemi të siguruar, por është e rëndësishme se në nivel të koalicionit qeveritar arritëm pajtueshmëri rreth tekstit i cili i jep qëndrueshmëri të plotë Prokurorisë Speciale Publike dhe e shndërron në organ të përhershëm”- u shpreh ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.
Ende nuk dihet se si do të votojnë deputetët e shkëputur nga VMRO, të cilët i sigurojnë shumicës votat e nevojshme.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
