Maqedoni

Vdekja e 2 vjeçares, Stavriç: kishte infeksion shtesë, nuk mbijetoi. VMRO-DPMNE: ministri vrapon pas donacioneve, vdekjet shtohen

06.03.2019 17:39

Mjekët kanë sqaruar sot se nuk mundën dot ta shpëtonin pacienten 2 vjeçare nga Ohri, që dje u kthye në viktimën e 5 nga gripi...

Nga spitali i fëmijëve thonë se vajza ka qenë me infeksion të rëndë bakterial dhe megjithëse menjëherë është trajtuar në kujdesin intensiv, nuk ka mundur të jetojë.
 
“Është pranuar në kujdes intensiv, është vënë në respirator dhe është trajtuar me antibiotik, ka qenë një infeksion i rëndë bakterial, i cili, duke pasur parasysh moshën e fëmijës, ka vdekshmëri të madhe për këtë moshë... Për më pak se 12 orë fëmija ka rezistuar, por për fat të keq në orët e hershme të  mëngjesit të së martës  fëmija ka ndërruar jetë”,- tha drejtoresha në Spitalin për fëmijë, Katarina Stavriç.
 
Hetimet e para treguan se viktima e fundit nga gripi, fëmija, ka pasur infeksion PNEUMOKOK. Fillimisht është trajtuar për një javë në kushte shtëpie me antibiotikë nga mjeku amë, pasi që nuk ka qenë shumë e sëmurë që të udhëzohet në spital. 
 
Por, nga VMRO-DPMNE akuzojnë drejtpërdrejt ministrin e shëndetësisë Filipçen për gjendjen e rëndë të shëndetësisë në vend.  
 
“Edhe sa jetë njerëzish duhet të shuhen për ministrin Filipçe, që më seriozisht të kapet për punën, të vetëdijesohet dhe të shpall epidemi, përgjigje për këtë nga Filipçe nuk ka, Filipçe ecën dhe mburret me donacione, shëndeti maqedonas bie në të gjitha listat në botë”,- tha Maja Sllaveva nga VMRO.
 
Në spitalin e fëmijëve rreth 30 fëmijë janë të shtruar të cilët trajtohen nga gripi, ndërsa 10 fëmijë tjerë trajtohen nga fruthi.
 
GYLTENE SINANI