Maqedoni
Reka: Maqedonia është shtet, por s’është republikë; Kiracovski: mbi 60 deputetë mbështesin Pendarovskin; Stoilkovski: Siljanovska është fituese në zgjedhje
06.03.2019 18:08
Më 9 mars skadon afati për grumbullimin e nënshkrimeve, ndërkaq zyrtarizimi i kandidaturave për president republike duhet të ndodh deri më 21 mars.....

Kandidati për president republike, Blerim Reka, ka grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës dhe ftoi qytetarët që ta përkrahin gjatë fushatës dhe ta mbështesin në zgjedhjet e 21 prillit. Premtoi se do të rikthejë vlerat e republikës, e cila, sipas tij, në këto dhjetë vite është privatizuar.
“Maqedonia është shtet por nuk është republikë. Republika bëhet vetëm me sundimin e ligjit dhe jo të individit. Republika e mirëfilltë nuk njeh gjyqësor të politizuar dhe as kuvend që imunizon dhe amniston përgjegjësit sikur që nuk njeh as administratë publike të nepotizuar. Ne patëm 11 vite një shtet të kapur dhe fatkeqësisht kemi 10 vite një shtet privat të presidentit aktual”,- tha kandidati për president republike, Blerim Reka.
Kandidati i përbashkët i partive të shumicës parlamentare, Stevo Pendarovski, ka gjetur mbështetjen e mbi 60 deputetëve.
“Me kënaqësi e njoftojmë opinionin se mbi 60 deputetë me nënshkrimin e tyre dhanë mbështetje për kandidaturën e Stevo Pendarovskit për kryetar të shtetit tonë. Deputetë nga përkatësi të ndryshme etnike, nga parti të ndryshme politike janë bashkuar rreth zgjedhjes së përbashkët për fitore, për përparim dhe ardhmëri. Stevo është zgjidhja jonë, sepse besojmë se është njeri me integritet, i cili do të jetë kryetari i vërtetë për të gjithë qytetarët dhe do të udhëhiqet nga interesi i qytetarëve dhe shtetit”,- tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.
Ndërkaq, kandidatja, Gordana Siljanovska, grumbulloi nënshkrimet menjëherë pasi u mori mbështetjen e VMRO-DPMNE-së. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski, doli me fushatë negative për kandidatin e LSDM-së.
“Qytetarët e njohin zaevizmin e Pendarovskit dhe së bashku me VMRO-DPMNE-në do t’i japin grushtin e parë serioz për të shpëtuar shtetin. Qytetarët duan drejtësi dhe jo edhe një: them, harroj, kundërshtoj! Po u vjen fundi. Gordana Silajanovska Davkova është fituese në zgjedhjet presidenciale, VMRO-DPMNE është fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të çojmë Zaevin, Pendarovskin dhe zaevizmin në histori”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
Në ndërkohë, KShZ njofton se katër kandidatë të tjerë, Dimçe Petrovski, Filip Petrovski, Josif Mirçevski dhe Gospodin Poposki vazhdojnë me grumbullimin e nënshkrimeve. Njëkohësisht vazhdon edhe këqyrja në listën e votuesve dhe paraqitja e diasporës për votim në përfaqësitë diplomatike konsulare.
SHPËTIM NUREDINI
