Botë

Situata në Ballkanin perëndimor, Scaparrotti: shënjestër e ndikimit malinj rus

06.03.2019 19:13

Situata e sigurisë në Ballkan është shumë e brishtë dhe vendet e Ballkanit janë shënjestra kryesore të ndikimit malinj të Rusisë...

Situata e sigurisë në Ballkan është shumë e brishtë dhe vendet e Ballkanit janë shënjestra kryesore të ndikimit malinj të Rusisë, ka thënë komandanti i forcave të shba-së në Evropë, Curtis Scaparrotti, gjatë një dëshmie para komitetit për Forca të Armatosura të Senatit amerikan.

Komandanti  Suprem i Aleancës i NATO-s në Evropë, e ka quajtur Ballkanin një rajon me rëndësi strategjike përderisa ka folur edhe për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Rusia e ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik”,- ka thënë Scaparrotti, duke nënvizuar faktin se Rusia e kundërshton njohjen e Kosovës si shtet sovran ndërkaq përmes ndihmës politike, ushtarake dhe ekonomike mundohet të ruaj ndikimin e saj në Serbi.

Në dëshminë e tij para komitetit për Forca të Armatosura, gjenerali amerikan, ka thënë po ashtu se Rusia është konkurrent afatgjatë strategjik që i sheh Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën e NATO-s si kërcënim kryesor për ambiciet e saj gjeopolitike.

“Moska synon të shtrijë ndikimin në vendet periferike të saj, për të minuar solidaritetin e NATO-s dhe për të shkelur rregullat në të cilat bazohet rendi ndërkombëtar”,- është shprehur gjenerali amerikan Scaparrotti.