“Civil” me apel për mosdiskriminimin e femrës: 8 marsi të shpallet ditë jopune për femrat

07.03.2019 15:45

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 marsit, Organizata “Civil”....

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 marsit, Organizata “Civil” ka dalë me apel për ndërprerjen e diskriminimit ndaj femrës. Nga kjo organizatë propozojnë që “8 marsi” të shpallet ditë jopune për të gjitha gratë në vend, si dhe kërkojnë nga Qeveria që të zbatojnë të gjitha ligjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminim në bazë gjinore.

“Kërkojmë nga Qeveria të përgatisë masa ligjore dhe të prezantojë praktikat për sanksionimin më të rreptë të çdo procedure që një grua e vendos në një pozitë të pafavorshme ose diskriminim në vendin e punës, në familje, në publik ose në ndonjë vend apo situatë tjetër. Mediat dhe organizatat qytetare të tregojnë përgjegjësi më të madhe dhe të punojnë në edukimin qytetar për të drejtat e grave.  Propozojmë që 8 marsi të shpallet ditë jopune për të gjitha gratë në vend”,- tha kryetari i Organizatës “Civil”, Xhabir Deralla.

Gratë kanë nevojë jo vetëm për ditë pushimi dhe dhurata për 8 mars, por për të drejta dhe mbi të gjitha për mbështetje, sidomos në rastet kur kanë nevojë më shumë për përkrahje, siç është rasti i aksionit për t’ia kthyer buzëqeshjen grave me kancer të gjirit.

“T’i vizitojmë këto gra dhe t’ju tregojmë që ka një dorë që i mbështet dhe kujton ato në këtë ditë dhe mendoj që sadopak do të kontribuojmë në ngritjen e moralit dhe t’ju tregojmë që nuk janë vetëm në këtë betejë”,- tha organizatorja e fushatës “Dhuro një buzëkuq”, Liridona Beqiri.

“Me bujarinë dhe zemërgjerësinë nënat janë dhe do të mbeten  mbretëreshat e kësaj bote, andaj vlerësojini!”,- tha një grua.

“Bota lind dhe vdes vetëm me një femër, forca!”,- theksoi një grua.

Organizatat e grave kërkojnë që edhe vetë femrat të jenë më aktive në ngritjen e zërit për të marrë pozitën që u takon si në familje ashtu edhe në shoqëri. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)