Rasti "Talir", anulohet seanca, gjykatësi tërheq vërejtje
Për shkak të mungesës së palës mbrojtëse të subjektit juridik të VMRO-DPMNE-së...

Për shkak të mungesës së palës mbrojtëse të subjektit juridik të VMRO-DPMNE-së, sërish është anuluar seanca gjyqësore për rastin "Talir", që i dedikohet financimit joligjor të partisë VMRO-DPMNE.
Si përfaqësues i saj, në seancën e sotme ka marrë pjesë zëdhënësi, Naum Stoillkovski, i cili kërkoi anulimin e seancës me arsyetimin se nuk dëshiron të paraqitet pa përfaqësues juridikë.
Gjykatësi i angazhuar në këtë rast, Osman Shabani, pasi anuloi seancën, dha edhe vërejtjen e tij të fundit për këtë subjekt, duke thëne se është hera e fundit që anulohet seanca dhe se anulime të tilla nuk do të jenë të pranueshme.
“Ju paralajmëroj që të planifikoni obligimet. I dini terminët. Nuk do të pranoj anulim për çfarëdo arsye. Çdo shtyrje do të sanksionohet, vetëm forcë mbinatyrore do të mund ta anulojë”,- tha Shabani.
Në këtë rast, të akuzuar janë Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski të cilët ngarkohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare” dhe “larje parash”, ndërsa Ilija Dimovski dhe Leko Ristoski të akuzuar vetëm për veprën “larje parash”. Për veprën e njëjtë, si subjekt juridik me aktakuzë është përfshirë edhe VMRO-DPMNE.
Elzabeta Çingarovska nuk do të gjykohet sepse ajo pranoi fajin dhe mori dënim me kusht prej dy viteve. Sipas aktakuzës, ata në mënyrë të paligjshme morën së paku 4,6 milionë euro për partinë, e më pas organizuan që ato para të paguhen në xhirollogari të partisë përmes fletëpagesave në emër të njerëzve të ndryshëm. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më dy prill.
“Talir” është një nga rastet e PSP-së i cili u ngrit pas afatit të paraparë ligjor për ngritje të aktakuzave nga kjo Prokurori.
Tani me propozim ligjin e ri për statusin e PSP-së mësohet se materialet nga ndjekja e komunikimeve të paligjshme mund të shfrytëzohen si dëshmi vetëm në lëndët për të cilat janë ngritur aktakuza deri më 30 qershor 2017.
Në bazë të këtij propozim ligji, materialet e përgjuara nuk do të vlejnë për këtë rast. Ndërsa në bazë të mendimit juridik, ngritjen e aktakuzave pas këtij afati kohor ia kontestoi Gjykata Supreme. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
