Zgjedhjet presidenciale, KShPK: Institucionet të respektojnë Kodin Zgjedhor
Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit do të ndjek të gjithë procesin zgjedhor....

Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit do të ndjek të gjithë procesin zgjedhor edhe fton institucionet që të respektojnë ndalesat të përcaktuara me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për parandalim të korrupsionit dhe konfliktin e interesit.
Në rastet me bazë për dyshim se është shkelur ligji, komisioni do të marrë masa për të konfirmuar dyshimet e tilla. Komisioni vendosi të hapë procedurë lidhur me emërimet që presidenti i Republikës i ka bërë në Ministrinë e Mbrojtjes, në periudhë zgjedhjesh presidenciale.
“Konsideroj se duhet të hapet procedurë lidhur me emërimet nga ana e presidentit gjatë kohës kur janë shpallur zgjedhjet presidenciale”,- tha kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
Komisioni shqyrtoi edhe disa lëndë konkrete të iniciuara nga persona fizikë dhe shumicën e tyre i hodhi poshtë si të pabaza. Do të ngrejë procedurë për konflikt interesi në një shkollë dhe në një kopsht fëmijësh.
“Dua të bëj apel deri te parashtruesit e lëndëve te institucioni ynë që lëndët të jenë më konkrete dhe me më shumë të dhëna. Nuk mjafton të shënohen dy rreshta, por duhet pasur bazë për të nisur procedurë”,- tha kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
Për shkak të azhurnimit të regjistrit të personave të zgjedhur dhe emëruar, KShPK u bën thirrje të gjithë personave udhëheqës në institucione dhe organe ku ka pasur zgjedhje apo emërim të dërgojnë të dhëna për personat e zgjedhur dhe të emëruar. Njëkohësisht ftoi personat e zgjedhur dhe të emëruar që të kryejnë detyrimin ligjor dhe të dërgojnë fletë anketuese në KShPK, në të kundërtën Komisioni do të ngre procedura për kundërvajtje. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
