Marrëveshjet Maqedoni-Bullgari, Bekteshi-Zhelazkov: Fokusi, shkëmbimi tregtar
Shkupi dhe Sofja do të fokusohen në rritjen e shkëmbimit tregtar...

Shkupi dhe Sofja do të fokusohen në rritjen e shkëmbimit tregtar. Kjo u darkordua në takimin mes dy grupeve të sapoformuara mes dy shteteve në sferën e transportit, tregtisë, energjetikës si dhe turizmit.
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se me marrëveshjet që do të nënshkruhen mes dy shteteve synohet rritja e shkëmbimit tregtar.
“Do të dalin edhe marrëveshje konkrete që ne si qeveri do t’i nënshkruajmë me qeverinë e Bullgarisë me të vetmin qëllim, që të përforcojmë bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik midis dy vendeve dhe njëkohësisht të përshpejtojmë rritjen dhe tregtinë mes dy vendeve fqinje siç jemi ne”,- tha ministri i ekonomisë i RMV-së, Kreshnik Bekteshi.
Sipas ministrit bullgar Zhelazkov, ndërtimi i planifikuar i hekurudhës deri në vitin 2025/2026 që do të lidh të dyja vendet, do të përshpejtojë transportin e mallrave dhe të udhëtarëve.
“Në fillim të muajit prill pritet nënshkrimi i marrëveshjeve të para në këto drejtime mes dy kryeministrave, Borisov dhe Zaev, për të lehtësuar në hapa konkretë atë që u arrit edhe në rrafshin politik, por para së gjithash fqinjësi të mirë dhe të ardhme të sigurt”,- tha ministri i ekonomisë i Bullgarisë, Rosen Zhelazkov.
Derisa nga ana bullgare është ndërtuar vetëm 2.5 km e hekurudhës, pjesa tjetër pritet të modernizohet dhe të pajiset me sinjalistikën e re. Bekteshi nga ana tjetër tha se në pjesën e Maqedonisë janë intensifikuar punimet në teren për përfundimin e kësaj hekurudhe mjaft të rëndësishme që po realizohet në tri faza.
Shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë vitin e kaluar arriti në 635,1 milion euro, që përbën një rritje prej 8.2 për qind krahasuar me vitin 2017. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
