Epopeja e UÇK-së, akademi përkujtimore në Shkup

07.03.2019 17:03

Me ndezjen e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz....

Me ndezjen e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, sonte përfundon manifestimi treditorë kushtuar Epopesë së UÇK-së dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.     

Epopeja e UÇK-së, me aktivitete të shumta prej tre ditësh, u shënua në mbarë Kosovën, ndërsa nuk munguan aktivitetet edhe në Shkup. Një manifestim kushtuar Epopesë së UÇK-së u organizua në Shkollën Fillore “Adem Jashari” në Çair. 

Për të nderuar sakrificën heroike të komandantit legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij, në komunën e Çairit u organizua një akademi përkujtimore.                                                                                                         

“Muaji mars gjithmonë do të na kujtojë se kur atdheun e vënë mbi gjithçka, qëllimet tona bëhen të realizueshme. Se kur jemi të vendosur dhe të bashkuar, qëllimet tona përmbushen më lehtë. Se kur para vendimeve të mëdha i kujtojmë dëshmorët, atëherë mundësia për të gabuar është shumë e vogël. Tani jemi para vendimeve të mëdha dhe para situatave mjaft sfiduese, prandaj le të na shërbejë e kaluara për bashkimin tonë në mënyrë që të dalim faqebardhë para brezave dhe para gjyqit të historisë”,- deklaroi djali i Adem Jasharit, Lulzim Jashari.

“Ky takim, ky përkujtim, që organizohet  nën emblemën e komunës së Shkupit të vjetër, veç e begaton atë përkujtim e homazh që organizohet në vendprehjen e Adem Jasharit, Hamz Jasharit, Shaban Jasharit e të gjithë bashkëluftëtarëve, e luftëtarëve që ranë në po të njëjtën ditë, për t’u ngritur në këmbë një komb i tërë. Thotë simbolika nga më të mëdha është se kjo porosi trokiti në çdo derë të shqiptarëve ku jetonin, që ata ngrihen në këmbë për lirinë e vet”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Hameti.                                                                                                                                                  

“Sot përjetojmë dhembje e krenari njëherësh, dhimbje për humbjen e madhe të familjes së bac Shaban Jasharit dhe ndjejmë krenarin të cilën kjo familje ia fali Kosovës dhe mbarë shqiptarisë me trimërinë dhe gjakun e derdhur të tyre”,- theksoi Fatmir Limani nga ShVL-UÇK.                                                                   

“I takoi Shkupit të realizojë një detyrim atdhetar për të kujtuar, reflektuar dhe nderuar sakrificën heroike të kryetrimit, legjendarit Adem Jashari dhe familjes së tij. Pikërisht para shkollës fillore që mban emrin e tij dhe në afërsi të vendit që dikur u bë strehë e veprimit të tij në shtëpinë a bashkëatdhetarit tanë, veprimtarit Ismet Shabani”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.                                                      

Pas akademisë së organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe komuna e Çairit, në shtëpinë e Ismet Shabanit, në lagjen Seravë të Shkupit, u shpalos një pllakë përkujtimore ku për 11 ditë rresht ka qëndruar komandanti legjendar Adem Jashari. (Gyltene Sinani, TVM2)