Kumanovë, shënohet 7 marsi – Dita e Mësuesit
Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe....

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe, me aktivitete të shumta u shënua 7 marsi – Dita e Mësuesit. Manifestimi qendror për komunën e Kumanovës dhe Likovës u mbajt në Pallatin e Kulturës në Kumanovë, nën organizim të Shoqatës së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri”.
Në praninë e arsimtarëve, nxënësve e mysafirëve të shumtë, referatin e paraqiti nënkryetari i ShASh “Naim Frashëri”, Suat Daipi.
“Jemi të lumtur që sot, të lirë dhe pa pengesa, festojmë këtë ditë edhe ne ShASh, e cila ka meritat e saj të veçanta për kontributin e dhënë në pavarësimin e arsimit shqip. Shekuj me radhë shqiptarët luftuan për të drejtën e tyre, shkollimin në gjuhën amtare, e cila e drejtë për vite me radhë u ishte mohuar nga pushtuesit. Në Kumanovë me vitin 1909 u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe me mësues Jashar Erepanin. Për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe, mësimdhënësit kanë bërë sakrifica të mëdha, prandaj në këto kushte lindi sistemi kombëtar edukativo-arsimor”,- theksoi mes tjerash Suat Daipi nga ShASh “Naim Frashëri” - dega Kumanovë-Likovë.
Njëherit u ndanë mirënjohje për arsimtarët e dalluar si dhe nxënësit për suksese të arritura në fusha të ndryshme të diturisë. Pjesë e manifestimit ishte edhe një program i pasur kulturo-zbavitës me këngë e valle dhe recitime. (Fatlum Aqifi, TVM2)
