Botë

Venezuelë, Guaido apel BE-së: më shumë sanksione Maduros

08.03.2019 13:00

Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido, i ka bërë thirrje Evropës që të shtojë sanksionet financiare kundër qeverisë së Nicolas Maduros...

Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido, i ka bërë thirrje Evropës që të shtojë sanksionet financiare kundër qeverisë së Nicolas Maduros, pas dëbimit të ambasadorit të Gjermanisë nga ky shtet.

“Shpresoj që Evropa të reagojë ashpër për këtë kërcënim serioz kundër një ambasadori. BE duhet të ashpërsojë sanksionet ndaj këtij regjimi”, ka thënë Guaido.

Vendet perëndimore njohin legjitimitetin e Guaidos si President i përkohshëm i këtij vendi, ndërkohë që Maduro ka përkrahjen e Kinës dhe Rusisë. Karakasi e shpalli të mërkurën ambasadorin gjerman në Venezuelë, Daniel Kriener si “person të padëshiruar”.

Gjermania është vetëm një nga shumë vendet që kanë përkrahur Guaidon. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, njoftoi se ambasadori do të kthehet në Gjermani për konsultime, mirëpo pozicioni i Berlinit nuk do të ndryshojë.