Debat, Komisioni i kulturës: Menaxhimi i plazheve të Ohrit në duart e shtetit

08.03.2019 17:04

Ministria e Transportit insiston që plazhet e Ohrit të kalojnë në duart e shtetit....

Ministria e Transportit insiston që plazhet e Ohrit të kalojnë në duart e shtetit. Debati për këtë çështje kaloi edhe në Komisionin parlamentar të kulturës.

Ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugraveski, shpjegoi se marrja e kompetencave për menaxhim nga komunat, të Ohrit, Strugës dhe Debërcës, bëhet me qëllim që të ndërpriten ndërtimet e jashtëligjshme, ndërkaq askush mos të marrë përgjegjësi për këtë.

“Ishit dëshmitarë se institucione të caktuara në shtet luajnë ping pong për kompetencat që kanë. Unë s’do ta lejoj këtë. Kam për qëllim që të bëjmë një koncept serioz në bazë të të cilit do të ndahen plazhet. Po, turizmi në asnjë formë nuk duhet të rrezikohet, megjithatë duhet që të ketë rregull. Nuk mund të lejojmë që kush si të dojë edhe të ndërtojë”,- deklaroi ministri i transportit, Goran Sugareski.

Nga Komisioni për menaxhimin me rajonin e Ohrit thonë se problemi qëndron në zbrazëtirat ligjore se kush duhet të mbart përgjegjësi për rrezikimin e plazheve nga ndërtimet që s’kanë marrë pëlqimin e kompetentëve për t’u ndërtuar.

“Nuk kemi ndonjë argument përpos se të thirremi në prishje të zonave të caktuara, gjë kjo që me ligjet tona nuk është rregulluar. Andaj edhe vjen deri në konflikt dhe mosmarrëveshje midis planifikuesve, komunave dhe komisionit”,- tha Zoran Pavlov Komision për menaxhimin me rajonin.

Inspektorët e ndërtimit shfajësojnë veten se nuk mund të reagojnë në mungesë të autorizimeve. Por, deputetët këmbëngulën që të definohet fati i objekteve të egra.

Ne i kemi raportet e inspektorëve, por nuk kemi përgjigje se çka më tutje me ato raporte. E dimë se çfarë ka ndodhur, por kjo nuk ndalohet. E di se prishjet e objekteve nuk janë të popullarizuara, por deri kur do ta lejojmë këtë”,- tha deputetja e pavarur, Nola Ismaillovska Starova.

Ministri Sugareski tha se u mbetet deputetëve të votojnë ligj për rregullimin e statusit të atyre objekteve: të legalizohen ose të rrënohen. (Meral Ismaili, TVM2)