22 OJQ në marsh protestues, “Nuk duam trëndafil, duam të drejta”

08.03.2019 17:22

“Durimi ka arritur në vijën e kuqe”, “Mjaft me retorika boshe”, “Nuk duam trëndafil, por të drejta”....

“Durimi ka arritur në vijën e  kuqe”, “Mjaft me retorika boshe”, “Nuk duam trëndafil, por të drejta”, këto ishin vetëm një pjesë e thirrjeve të grave që protestuan nën moton “A është 8 Marsi ditë e  lumtur?”.

I organizuar nga Platforma për barazi gjinore që grumbullon në radhët e saj 22 shoqata për të drejtat e grave, marshi grumbulloi jo vetëm anëtaret e këtyre shoqatave, por edhe politikanët e ekzekutivit dhe opozitës.

“Gratë vazhdojnë të jenë jo aktive në tregun e punës, edhe pse janë më të arsimuara se meshkujt. Dhuna ndaj grave dhe vajzave është realitet i hidhur i shoqërisë sonë. Stereotipat dhe gjuha e urrejtjes nuk janë të pranishme vetëm në sferën private, por edhe në atë publike”,- tha Sneshka Iliq nga “Reaktor”.

“I bëj thirrje qeverisë të marrë masa urgjente për ndërprerjen e  martesave të të miturve, pagesës joligjore që marrin gjinekologët amë për kontrolle dhe të sillet ligj për mbrojtje nga diskriminimi”,- u shpreh Saliha Bekir Haim nga Iniciativa e Grave në  Shuto Orizare.

“Gratë fermere janë të diskriminuara edhe në zgjidhjet ligjore. Në programin për zhvillim rural kërkohet që aplikueset të jenë patjetër të martuara, të kenë minimum një fëmijë, të jenë të papunë, të jenë amvise e të jetojnë në fshat. Kjo është masë diskriminuese që duhet rregulluar urgjentisht nga qeveria”,- deklaroi përfaqësuesja e grave fermere, Valentina Paramaçka.

OJQ “CIVIL”: TË DREJTAT E GRAVE, LUFTË PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Nga OJQ “Civil”, thonë se lufta për të drejtat e grave është luftë për të drejtat e njeriut.

“Nëse burrat kërkojnë më shumë të drejta, duhet ta dinë se të drejtat e tyre kalojnë përmes të drejtave të grave. Në të kundërtën, nuk mund të flasim për të drejtat e njeriut, këto dy gjëra janë të pandashme”,- tha Xhabir Deralla nga OJQ “Civil”.

DITA NDËRKOMBËTARE E GRUAS, DYQANET E LULEVE SHITJE REKORD PËR 8 MARS

Por, jashtë këtij marshi dhe debateve sensibilizuese për më shumë të drejta, 8 Marsi në vend u festua edhe nga gratë që pranuan lule. Shitësit fërkojnë duart, në 8 Mars shitjet e luleve shënojnë rekord.

“Interesimi është i madh. Edhe vitin e kaluar edhe tash interesimi është i madh. Lule zakonisht blejnë edhe ditëve tjera, por kuptohet për 8 Mars më shumë”,- tha një shitës. 

“Është një festë e veçantë që duhet ta çmojmë për nënat, për të gjithë ato. Tani sa kam dalë për të blerë lule”,- tha një qytetar.

“Kam blerë lule për dhuratë”,- tha një qytetar.

“Jam e sigurt se do të marr dhuratë, por kuptohet me vonë.  Tani do t’ju blej nga një lule vajzës dhe nuses së djalit”,- tha një qytetare.

8 Marsi nuk është ditë feste, por ditë kur gratë e mbarë globit luftojnë për të drejtat e tyre ende të munguara. Filloi si protestë për rroga të barabarta në ShBA në 28 shkurt 1909, vazhdoi me fitimin e të drejtës së votës për gratë në Rusinë Sovjetike më 1917-n dhe që nga viti 1975 njihet nga OKB si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Grave. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)