Rritja ekonomike, Qeveria: Vitin e kaluar, rritje për 2.7%

08.03.2019 18:19

2018 ka përfunduar me një rritje ekonomike prej 2.7%, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave....

2018 ka përfunduar me një rritje ekonomike prej 2.7%, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave. Të dhënat nuk janë larg projeksioneve të ndryshuara të qeverisë, e cila fillimisht planifikoi një rritje prej 3.2% e më pas e uli të njëjtën në 2.8%.

Më shumë rritje u shënua në 3 mujorin e fundit, edhe atë për 3.7% të BPV-së dhe 19.6% në ndërtimtari, që ka qenë vjet edhe sektori më problematik i ekonomisë. Sipas EShS-së, investimet bruto kanë shënuar rënie për 7.2%, bujqësia ka një rënie prej 5%, rënie 6.6% edhe tek informacionet dhe komunikimet.

Vlera e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në vend në vitin 2018 kanë arritur në 10,7 miliardë euro.

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, papunësia ka shënuar rënie nën 20% dhe tani është 19.4%. Për ekzekutivin, masat po japin rezultate dhe parashikimi për rritje prej 3.2% në 2019 është projeksion i arritshëm.

“Përkushtimi i Qeverisë, vizioni i saktë, masat mirë të matura në ekonomi në të gjithë sektorët veç më kanë filluar t’i japin rezultate”,- tha zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.

Ne i kemi plotësuar të gjitha pritshmëritë dhe i kemi një rritje për 2.7% sa i përket bruto prodhimit vendor”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Rritja e projektuar prej 3.2% absolutisht mund të realizohet sepse është bërë pa pritje të fryra në aspekt të anëtarësimit të pritshëm në NATO. Presim hyrje serioze shtesë të investimeve të huaja dhe zhvillim shtesë të ekonomisë”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.

Parashikimi i fundit i Bankës Botërore për Maqedoninë, gjithsesi lëviz në kuadër të realizimit të 2018 e jo sipas optimizmit të qeverisë. BB planifikon një rritje prej 2.9% në 2019 apo më të ultën në rajon, për vitin 2021 parashikohet rritje prej 3.3 për qind, thuhej në raportin e publikuar në janar të këtij viti.(Gyltene Sinani, TVM2)