Merret vendimi për "Titanik 2", Mijallkovi dhe Ibraimi në paraburgim

08.03.2019 18:31

Është shqiptuar aktvendimi për rastin “Titanik 2”....

Është shqiptuar aktvendimi për rastin “Titanik 2”. Tre vite e 2 muaj dënim me burg për kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçin, 4 vite e gjashtë muaj për ish anëtarin e KShZ-së, Bedredin Ibraimin, 3 vjet burg për Sasho Mijallkovin dhe tre ish anëtarët e tjerë të KShZ-së, Sasho Srcev, Aneta Stefanova dhe Vllatko Sajkovski.

Gjykatësi, Ognen Stavrev, gjatë leximit të aktakuzës tha se askush nuk ka të drejtë të uzurpojë shtetin juridik për interesa të ngushta grupore. Kreu i PDSh-së nuk ishte i pranishëm gjatë shqiptimit të vendimit.

“Absolutisht, gjykata mendon se me tejkalimin e kufijve të autorizimeve zyrtare dhe të gjitha veprimet kundërligjore nga ana e të akuzuarve është shkaktuar dëm në buxhetit shtetëror, por kjo nuk është thelbësorja, ata kanë shkaktuar dëm direkt në sistemin zgjedhor, duke keqpërdorur demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve”,- deklaroi gjykatësi, Ognen Stavrev.

Me kërkesë të prokurores speciale, Fetai Fetait, trupi gjyqësor vendosi masën e paraburgimit për ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, dhe ish anëtarin e KShZ-së, Bedredin Ibraimin, të arsyetuar me ekzistimin e rrezikut të arratisjes, marrë parasysh faktin se Mijallkov është i akuzuar për më shumë vepra penale, ndërsa Ibrahimi asnjëherë nuk e ka respektuar PSP-në. Për të akuzuarit e tjerë u vendos masa e përkujdesit për paraqitje të rregullt në gjykatë.

“Me shqyrtim të arsyeve vlerësoj se pikërisht masat e propozuara janë adekuate, që mund të pritet plotësim i qëllimit të paraparë me ligj dhe ajo është sigurim i pranisë dhe zhvillimit pa pengesë të procedurës gjyqësore”,- tha prokurorja speciale, Publike Fatime Fetai.

Ibrahimi dhe Mijallkovi e cilësuan vendimin për paraburgim si të padrejtë. Ibrahimi përkujtoi se me vendime të tilla nuk bëhet reformimi i gjyqësorit, ndërsa Mijallkov hodhi poshtë mundësinë për t’u arratisur.

“Nëse gjykata në këtë përbërje dhe gjyqësori i vendit në përgjithësi mendon se me lajkatim të Prokurorisë Speciale Publike bëhen reforma në sistemin gjyqësor, atëherë mendoj se bën gabim të madh. Bedredin Ibraimi këtu është lindur, këtu do të mbesë dhe këtu do të vdesë. Nuk ka fuqi që mund ta shtyjë të lë vendlindjen, deri atëherë kur para instancave tjera gjyqësore nuk vërtetojmë se unë dhe kolegët nuk kemi faj, nuk kam nevojë të arratisem, këtu do të qëndroj dhe asaj do t’i qesh në fytyrë”,- deklaroi i akuzuari, Bedredin Ibraimi.

“Një konstatim i tillë pa thënë paraprakisht asnjë argument apo dëshmi për t’i arsyetuar rrethanat që i përmendi mund të mbetën vetëm spekulime. Me ikje problemet nuk zgjidhen, stili i jetesës sime nuk është ikja. Unë asnjëherë nuk do të arratisem”,- u shpreh i akuzuari, Sasho Mijallkov.

Të akuzuarit në rastin “Titanik 2” të PSP-së, që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet lokale më 2013, gjithsej kanë marrë 19 vjet e tetë muaj dënim me burg. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)