Vendimi për “Titanik 2”, PDSh: Goditjet e strukturave të errëta, nuk na dekurajojnë
Partia Demokratike Shqiptare e vlerëson të padrejtë vendimin e Gjykatës Themelore që dënoi me 3 vite e dy muaj burg kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçin, në rastin “Titanik 2”.

Partia Demokratike Shqiptare e vlerëson të padrejtë vendimin e Gjykatës Themelore që dënoi me 3 vite e dy muaj burg kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçin, në rastin “Titanik 2”.
“Vendimi i tillë është një sinjal i qartë se segmentet e caktuara të errëta në këtë shtet jo që janë aktive, por me vendime të këtilla në formë të kësaj gjykate paralajmërojnë pengesë serioze për demokratizimin e mirëfilltë, si dhe rrugëtimin drejt strukturave euroatlantike”,- thuhet në reagimin e PDSh-së, nga e cila përkujtojnë se “këto struktura të errëta, që fatkeqësisht ende funksionojnë në institucionet shtetërore, gjithnjë si cak të tyre kanë pasur kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçin, i cili në vazhdimësi është përndjekur dhe survejuar, madje ka pasur edhe tentime për likuidimin fizik të tij. Argumente për këtë janë 3 dosjet voluminoze të shërbimeve sekrete me mijëra faqe, në periudha të ndryshme, pas vitit 1990 e deri më sot. PDSh është e bindur se kryetari i saj, Menduh Thaçi, është tërësisht i pafajshëm dhe se do të ndjek gjithë instancat gjyqësore për ta dëshmuar pafajësinë, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare. Ne jo vetëm që nuk dekurajohemi nga këto goditje të strukturave të caktuara të errëta, por do të vazhdojmë me fanatizëm të luftojmë për interesat e shqiptarëve, demokratizimin e mirëfilltë dhe hapërimin e sigurt drejt strukturave euroatlantike”,- thuhet në reagimin e PDSh-së pas vendimit për rastin “Titanik 2”.
