“Cili është rrëfimi yt?”, histori suksesi që dalin mbi pabarazitë gjinore

08.03.2019 18:58

Rrëfime suksesi në një botë ku është vështirë të kesh sukses, sidomos kur je femër.....

Rrëfime suksesi në një botë ku është vështirë të kesh sukses, sidomos kur je femër. Këto rrëfime u treguan sot nga femrat shqiptare të profileve të ndryshme, që ia kanë dalë të kenë sukses edhe përkundër vështirësive, diskriminimit gjinor dhe mentalitetit.

Rrëfimet u treguan në panelin e organizuar nga ITShKShM që sivjet vendosi të mos organizojë ndonjë manifestim festiv, por përmes rrëfimeve të femrave të suksesshme, t’u tregojë edhe të tjerave se mund t’ia dalin vetëm nëse vënë fuqishëm në përdorim  aftësitë e tyre profesionale.

“Vetë pozita e femrës shqiptare në vend ka qenë e diskriminuar, femra ka qenë e anashkaluar, por me një këmbëngulje të madhe, vazhdon të zhvillohet”,- tha organizatorja e eventit Nora Maliqi – ITShKShM.

“Duke qenë të vetëdijshme se ne nuk jemi ato qenie të kristalta, që do thyheshin me një të prekur, duhet të jemi të vetëdijshme se rrugën duhet ta trasojmë vetë e jo tua lëmë të tjerëve”,- theksoi albanologia Hidajete Azizi nga ITShKSHM.

“E vetmja mënyrë e suksesshme do jetë nëse kemi partneritet mes dy gjinive, sa i përket pjesës femërore na duhet solidarizim, se të gjitha përballemi me të njëjtat sfida”,- u shpreh albanlogia Bukurie Mustafa nga ITShKShM.

“T’ia strukturojmë më denjësisht lirinë, po nuk ditëm t’i bëjmë këto gjëra e ne nuk dimë t’i bëjmë, se ne jomjaftueshëm e vlerësojmë njëri-tjetrin, jo mjaftueshëm mediat i prezantojnë të mirën dhe të mirët dhe unë besoj se nuk na shkruhet mirë”,- tha drejtoresha e Akademisë Diplomatike-MPJ, Adelina Marku.

Femra shqiptare duhet të jetë më unike se kurrë në ndërveprime për të dëshmuar se nuk është vetëm numër që meshkujt e nxjerrin sa herë që u duhet të mbushin kuota,  porositën panelistët.

“A ka dhunë më kriminale për një shoqëri kur barazia gjinore u matte me numra e jo në bazë të aftësive profesionale. Burrat që kanë guxim që barazinë gjinore ta trajtojnë si aspiratë kombëtare janë demokratë, patriotë dhe ia duan të mirën shtetit”, - tha gazetarja, Diana Toska.

“Femrën e llogarisin vetëm si numër, e dihet kush numërohet si numra. Ne  nuk na duhen formalitetet, na duhen kuadro të mirëfillta dhe femra që merr përgjegjësi, mund ta kryejë detyrën më mirë se një mashkull”,- theksoi aktivistja dhe ish e ndjekur politike, Halide Palloshi.

“Shumë më shumë kemi pasur barazi në vendet e punës se në shtëpi. Është vështirë t’i lëmë fëmijët në shtëpi por duhet ta bindim veten se meritojmë të punojmë e do jemi prindër më të mirë kur pas punës i japim një moment cilësor fëmijës. Mos u dorëzo, mos lejo të të ulin në qoshe, mos lejo që mashkulli me zë më të fortë të ta ndalë zërin”,- tha doktoresha e shkencave në fushën e shëndetit publik, Teuta Agai.

Rrëfimet e tilla të suksesit duhet të jenë gjithnjë motivim për të gjitha femrat, se rezultatet arrihen vetëm me profesionalizëm dhe përkushtim, por për të arritur rezultate, vetë femra duhet të mos kërkojë të drejta bazuar në kuota numerike, por të luftojë fuqishëm për të treguar se është e zonja për të qenë shtylla shtytëse e shoqërisë. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)