Zaev konfirmon: Të dielën takimi me Mickoskin

08.03.2019 19:17

Takim mes kreut të ekzekutivit, Zoran Zaev, dhe liderit të opozitës, Hristijan Mickoski....

Takim mes kreut të ekzekutivit, Zoran Zaev, dhe liderit të opozitës, Hristijan Mickoski, do të ketë të dielën.

Kryeministri Zaev, duke mos dashur të ndalet para kamerave, pas prezantimit të rezultateve të projektit për uljen e vdekshmërisë së nënave dhe të foshnjave në Klubin e deputetëve, shkurt u përgjigj se takimi me Mickoskin është konfirmuar për të dielën, duke mos e saktësuar kohën e mbajtjes.

“Po, takimi do të mbahet të dielën”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Mbajtjen e takimit e ka konfirmuar edhe lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski. Tri çështjet që pritet të diskutohen në takim pritet të jenë zgjedhjet presidenciale, ligjet reformuese dhe çështja e Prokurorisë Speciale Publike.

Ky takim vjen pas kërkesës së kreut të opozitës, Mickoskit.

Ndërsa ditë më parë, kreu i LSDM-së Zaev theksoi se takimi është i nevojshëm  duke pasur parasysh se vendit i duhet proces i korrekt zgjedhor dhe se kjo është përgjegjësi e të gjithëve.

Në takim, siç theksoi Zaev, në tavolinë do të ketë edhe përfaqësues profesionistë nga Parlamenti dhe nga Ministria e Drejtësisë. (Zekirija Mexhiti, TVM2)