Anagnostopulu në Shkup: Përforcojmë bashkëpunimin, thellojmë marrëdhëniet
Dispozitat e Marrëveshjes së Prespës edhe praktikisht po zbatohen....

Dispozitat e Marrëveshjes së Prespës edhe praktikisht po zbatohen, ka thënë ministrja alternative greke për punë të jashtme, Anastasia Anagnostopulu, pas nënshkrimit të marrëveshjes me ministrin Dimitrov për hapjen e vendkalimit kufitar në rajonin e Prespës "Markova Noga".
“Përforcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve është qëllimi i vizitës së saj në Maqedoninë e Veriut”,- tha ministrja greke Anagnostopulu.
“Falënderoj ministrin e jashtëm Dimitrov për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje historike. Jam e lumtur që mund ta përforcoj bashkëpunimin dhe t’i thelloj marrëdhëniet mes dy vendeve”,- tha ministrja alternative greke për punë të jashtme, Anastasia Anagnostopulu.
Marrëveshja për hapjen e pikës kufitare me Greqinë shënon edhe një dakordim historik, sepse me këtë për herë të parë pranohen terminologjitë për të dyja vendet, sipas Marrëveshjes së Prespës, tha ministri Dimitrov.
“Më vjen mirë që marrëveshja për hapjen e pikën kufitare në "Markova Noga" në rajonin e Prespës e nënshkruam në tri gjuhë, greqisht, maqedonisht dhe anglisht. Maqedonisht që është me rëndësi për ne të cilën e flasin qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe diaspora jonë e që nuk ka të bëjë me maqedonasit grekë, në kontekst të nenit 7”,- tha ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Ministrja greke është takuar edhe me zëvendëskryeministrin për eurointegrime, Bujar Osmani, të cilët kanë vlerësuar progresin politik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Marrëveshja e Prespës ka shënuar epokën e re mes Athinës dhe Shkupit, ka thënë Osmani, ndërsa është konfirmuar mbështetje e fuqishme e Greqisë para samitit të qershorit, kur pritet vendimi për fillimin e bisedimeve të vendit tonë me BE-në. Vizita e ministres së jashtme greke i paraprin vizitës së parë të kryeministrit grek Cipras në Maqedonisë e Veriut. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
