KShZ: Deri më 9 mars grumbullimi i nënshkrimeve të kandidatëve për president
Më 9 mars skadon afati për grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme për garën presidenciale të 21 prillit....

Më 9 mars skadon afati për grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme për garën presidenciale të 21 prillit.
Pretendentët për president republike, kandidaturën e tyre së bashku me dokumentacionin e nevojshëm duhet ta dorëzojnë deri në KShZ deri më 21 mars kur edhe pritet zyrtarizimi i kandidaturave të tyre.
KShZ sqaron se procedurën e grumbullimit të nënshkrimeve e kanë filluar gjithsej 8 kandidatë. Deri më tani nënshkrimet e nevojshme i kanë grumbulluar Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska dhe Blerim Reka.
LSDM nëpërmjet një kumtese me shkrim njofton se kandidati i përbashkët i partive të shumicës parlamentare, Stevo Pendarovski, për një ditë ka mbledhur mbi 30 mijë nënshkrime.
“Në vetëm një ditë, mbi 32,000 shtetas nënshkruan për kandidaturën e Stevos. Kështu, kandidatura e Stevos është e vetmja për president të shtetit që ka mbështetje nga mbi 30,000 qytetarë, mbi 30 parti politike dhe 60 deputetë. Maqedonasit, shqiptarët, serbët, turqit, romët, vllehët, të gjitha bashkësitë etnike, të gjithë u bashkuan rreth Stevos”,- u tha nga LSDM.
Por, nga VMRO-DPMNE thonë se fitorja e kandidatit të tyre do të jetë arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Zoran Zaev dhe LSDM patjetër të ikin, nevojitet dalje masovike në zgjedhjet presidenciale dhe fitore e Gordana Siljanovskës, që do të jetë arsye për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”,- u shpreh Darko Kostovski nga VMRO-DPMNE.
Në ndërkohë, KShZ njofton se Dimçe Petrovski, Filip Petrovski, Josif Mirçevski dhe Gospodin Poposki vazhdojnë me grumbullimin e nënshkrimeve. Garës për president i është shtuar edhe një kandidat i pavarur, Lirim Muharremi, nga Struga, i cili pretendon të mbledh nënshkrimet për kandidim.
Në ndërkohë vijon kontrolli publik i Regjistrit Zgjedhor, i cili do të zgjatë deri më 14 mars, afat ky kur edhe mbyllet mundësia e paraqitjes së të interesuarve nga diaspora për votim në përfaqësitë diplomatike konsulare. (Naim Ramadani, TVM2)
