Maqedoni
Zvarritja e punimeve në tregun e Bitpazarit, tregtarët optimist, presin tregun e ri
09.03.2019 18:13
Punimet në tregun e Bitpazarit po vazhdojnë por jo me intensitetin e duhur...

Kompania përgjegjëse për punimet e përzgjedhur nga Skopski Pazari ka tejkaluar të gjitha afatet e caktuara për përfundimin e projektit, thonë nga Oda e Tregtarëve. Kryetari i Odës së Tregtarëve, Ekrem Dolek thotë se ngecjet e shpeshta dhe vonesa në punimet akoma më shumë po e vështirëson punën e tregtarëve.
“Po, janë shkelur edhe atë shumë në mënyrë flagrante. Kryerja e punimeve në gjithë tregun e Bitpazarit ka qenë maksimumi prej 12 deri në 14 muaj që tregu të përfundojë, çka do të thotë edhe dy muaj projekti i Bit Pazarit është dashur të lëshohet objekti i ri, ndërsa në këtë rast akoma nuk është kryer 1/3. Dhe ajo po na bën probleme, ne nuk kemi lejuar asnjë tezgaxhinj të mbetet pa punë, por çfarë kemi bërë, këto tezga të rajonit 7 dhe 8 i kemi dislokuar në sektoret më poshtë pazarit dhe kështu është formuar një tollovi shumë e madhe, janë ngushtuar hapësirat”, tha Ekrem Dolek, kryetar i Odës së Tregëtarëve.
Leja për ndërtimin e tregut të Bit Pazarit ka hyrë në fuqi qysh në Mars të 2018-ës, ndërsa zvarritja e punimeve u konstatua që në gusht të vitit të kaluar kur kompania e Skopski Pazarit shkeli afatet për përfundim të kohë të sektorit 7 dhe 8. Dolek ka ftuar Qytetin e Shkupit dhe Komunën e Çaritit që të bëjnë presion mbi Skopski Pazarin për të intensfikuar punimet në terren.
Nga shoqata aksionare private “Skopski pazar” mohojnë të ketë vonesa në punë, ata thonë se punimet po zhvillohen intensvivisht dhe kujdesen që palët të mos kenë ndonjë pengesë përderisa kryejnë aktivitetet e tyre.
“Faza e parë e punimeve prej 1200m2 është kryer me sukses dhe në të janë vendosur tezga me produkte jo-ushimore. Faza e dytë që përbën 1600m2 është pastruar dhe në ditët në vijim fillon vendosja e themeleve. Për këtë fazë do të nevojiten afër 2-3 muaj kohë për ta përfunduar. Sa i përket intensitetit të punës, duke pasur parasyshë terenin e vështirë që mbretëron si dhe kushtet atmosferike, vlerësojmë se projekti po zhvillohet me intensitet të kënaqshëm”, thonë nga “Skopski pazar”.
Pazarxhinjte të cilët I anketoi TVM2 kërkojnë nga autoritetet që të përshpejtohen punimet dhe njëkohësisht të kenë një treg i cili do ti plotësoj kushtet elementare për punë.
“Shpresojmë që të jetë gati për një kohë të shkurtër, pra sa më shpejt pasi e shihni jemi më ngusht këtu, ndërsa paguajmë rregullisht”....
“Një pjesë është rregulluar ndërsa kanë mbetur edhe dy pjesë, thonë se për 6 muaj do të jetë gati, e tani kur do të jetë gati me rëndësi se do bëhet. Kushte nuk kemi por duhet të durojmë, ska tjetër zgjidhje”, thanë tregtarët
Projekti i ndërtimit të Bit Pazarit parashikon mbulim të plotë të tregut ,vendosjen e 1000 tendave të reja, restaurim të plotë të infrastrukturës ujësjellësit dhe kanalizimit, sigurim të një sipërfaqeje parkimi me një kapacitet prej 230 automjetesh dhe ndërtimin e ambienteve të reja të biznesit me një sipërfaqe prej 600 metrash katrorë.
ZEKIRJA MEXHITI
