Botë

Rusi, protesta ndaj kufizimeve të aksesit në internet

11.03.2019 16:15

Mijëra vetë kanë protestuar në Rusi kundër planeve të qeverisë për kufizime në përdorimin e internetit...

Një tubim gjigant u mbajt në Moskë e demonstrate të ngjashme u zhvilluan në dy qytete të tjera pas miratimit që Parlamenti i ka bërë projektligjit kontrovers.

Qeveria pretendon se nisma, që lejon izolimin e shërbimit rus të internetit nga pjesa tjetër e botës, do të përmirësojë sigurinë kibernetike.

Aktivistët këtë e shohin thjesht si përpjekjen e radhës për të forcuar censurën e për t`i zënë frymën disidentëve.

“Duart larg nga internet” dhe “jo izolimit” ishin disa prej sloganëve të përsëritur nga protestuesit në tubim. Sipas opozitës, pati disa të arrestuar, por policia ruse nuk e konfirmoi një gjë të tillë.

Një votim i dytë mbi projektligjin pritet më vonë gjatë muajit, dhe nëse ai kalon në Parlament, në fund nuk i nevojitet veçse firma e presidentit Vladimir Putin.