Maqedoni

Fondet europiane, OEMV: Nuk shfrytëzohen sa duhet nga kompanitë

11.03.2019 16:42

Pas fillimit të negociatave për anëtarësim në BE dhe me vetë anëtarësimin e pritshëm....

Pas fillimit të negociatave për anëtarësim në BE dhe me vetë anëtarësimin e pritshëm, në dispozicion të kompanive të vendit vihet një shumë e konsiderueshme e mjeteve për mbështetje nga fondet europiane. Por, nga Oda Ekonomike alarmojnë se kompanitë nuk dinë t’i shfrytëzojnë këto mjete. 
 
“Me Programin “Horizont 20 – 20” për shtatë vjet kemi tërhequr vetëm 7,2 milionë euro. Për instrumentin për ndërmarrje të vogla dhe të mesme nga ky program kanë aplikuar disa kompani, por asnjëra nuk ka arritur të marrë mjete. Edhe realizimi i IPARD-it nuk është i lakmueshëm, edhe pse shënon rritje. Nga viti 2007 e deri në 2014 ka qenë 17 për qind për IPARD 1, ndërsa për IPARD 2, nga viti 2014 e deri në 2020-n deri tani është 22 për qind”,- deklaroi Jadranka Arizankovska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.
 
Ekspertët pajtohen se shkaqet për shfrytëzimin e ulët të mjeteve evropiane janë procedurat administrative dhe periudha e gjatë e aprovimit. Por, përkujtojnë se të njëjtat kushte vlejnë për të gjithë vendet e BE-së.
 
“Këto kushte janë të njëjta dhe vlejnë për të gjitha vendet e BE-së. Format vendore këtë duhet ta pranojnë, të ndërtojnë kapacitete dhe të marrin njohuri dhe shprehi dhe sa më shpesh të aplikojnë me projekte, të pavarur apo si partnerë”,- tha Jadranka Arizankovska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.
 
"Evropa Horizont" është një prej programeve të reja për konkurrencën dhe inovacionin në sektorin privat, i planifikuar të fillojë më 1 janar të vitit 2021. Fondet në dispozicion në këtë program do të kapin shifrën prej më shumë se 100 miliardë euro, një mbështetje e konsiderueshme financiare për kompanitë që ka të bëjë edhe me intensifikimin e bashkëpunimit me universitetet dhe qendra kërkimore që synojnë zbatimin konkret të inovacionit.
 
GYLTENE SINANI