Maqedoni
Apeli vendosi për rastin “Trust”, Koçan 4.8 vite burg, Aviroviq dënim me kusht
11.03.2019 16:58
Gjykata e Apelit i mori pjesërisht parasysh aktvendimet e Gjykatës së shkallës së parë për lëndën “Trust” dhe të akuzuarit...

Gjykata e Apelit i mori pjesërisht parasysh aktvendimet e Gjykatës së shkallës së parë për lëndën “Trust” dhe të akuzuarit, Sead Koçan, ia uli dënimin në katër vite e tetë muaj burg, ndërsa Vasilije Aviroviq i shqiptohet dënim me kusht, nëse në pesë vitet e ardhshme nuk kryen vepër penale.
“Gjykata e Apelit - Shkup, duke vepruar sipas lëndës penale të njohur në opinion si rasti “Trusti”, pas seancës së mbajtur publike, solli aktvendim me të cilin pjesërisht i mori parasysh ankesat e të akuzuarve, Sead Koçan nga Shkupi dhe Vasilije Aviroviq nga Shkupi. Kështu ndryshohet vendimi i shkallës së parë në pjesën e dënimit. Të akuzuarit, Sead Koçan, nga 6 vite, i ndryshohet vendimi në dënim me burg në kohëzgjatje prej katër vite e tetë muaj, ndërsa të akuzuarit, Vasilije Aviroviq, i shqiptohet masa alternative “dënim me kusht”, pra i konstatohet dënimi me burg në kohëzgjatje prej dy viteve dhe njëkohësisht dënimi i konfirmuar me burg nuk do të kryhet nëse i akuzuari gjatë kohës, pas hyrjes në fuqi të aktvendimit, nuk kryen vepër të re penale”,- thonë nga gjykata.
Gjykata e Apelit në pjesën e mbetur, në tërësi e konfirmoi aktvendimin e shkallës së parë. Koçan dhe Aviroviq në korrik të vitit të kaluar u shpallën fajtorë në procesin gjyqësor “Trust”, për keqpërdorim të furnizimeve publik.
Ata, sipas PSP-së, në cilësinë e drejtuesve të firmave “Transmet” dhe “Sileks Nemetali”, me dokumente të rrejshme kanë fituar tender nga ELEM-i në vlerë prej 17,3 milionë eurove.
Të dy u dënuan në një proces gjyqësor me mbi 20 seanca, që zgjati 8 muaj.
BESIM ABDULLAI
