Maqedoni
Takimi Zaev - Mickovski, Rashiti: Tendenca anashkaluese, porosi e gabuar. Hoxha: Tendencë për defaktorizimin e shqiptarëve
11.03.2019 17:19
Blloku politik shqiptar në opozitë ka reaguar ndaj takimit të mbrëmshëm të kryeministrit, Zoran Zaev.....

Blloku politik shqiptar në opozitë ka reaguar ndaj takimit të mbrëmshëm të kryeministrit, Zoran Zaev, dhe liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoskit. Aleanca për Shqiptarët takimin e konsideron si porosi të gabuar pasi që ka të bëjë me çështje të rëndësishme për vendin.
“Nuk ishte gjë e mirë tendenca për t’u takuar dy liderët e dy partive më të mëdha maqedonase, sepse porosia është e gabuar. Porosia se çështjet me rëndësi jetike shtetërore janë çështje që tangojnë vetëm dy subjektet më të mëdha politike maqedonase. Mendoj se për çështje të rëndësishme jetike shtetërore duhet të komunikojnë të gjitha subjektet politike”,- tha Syrija Rashiti nga ASh.
Arijanit Hoxha nga Lëvizja Besa thotë se është e papranueshme që faktori politik shqiptar të mos përfshihet në vendimmarrje për procese kaq të rëndësishme të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë cenojnë edhe interesin e shqiptarëve.
“Përjashtimi i shqiptarëve nga konsultimi dhe vendimmarrja për çështje kaq jetike për të ardhmen e shtetit është vetëm tentim për të prishur kohezionin ndëretnik në Maqedoninë e Veriut dhe për fat të keq po dëshmohet se parulla “Një shoqëri për të gjithë” nënkupton defaktorizimin e plotë të faktorit politik shqiptar, e cila për fat të keq i thellon ndasitë”,- tha Arijanit Hoxha nga Lëvizja Besa.
ASh dhe Lëvizja Besa rikujtuan zhurmën e madhe që ndodhi pas takimit vetëm të partive shqiptare dy vjet më parë. Liderët, Zaev dhe Mickoski, të dielën u takuan për të diskutuar për zgjedhjet presidenciale dhe të ardhmen e Prokurorisë Speciale.
NAIM RAMADANI
