Maqedoni
Vijon kontrolli në listën zgjedhore, Shabani: lista e hapur për kontroll deri të enjten. KShZ: tre kandidatë kanë mbledhur nënshkrimet e duhura
11.03.2019 17:33
Më 14 mars skadon afati për shqyrtim të Listës Zgjedhore dhe paraqitja për votim e diasporës...

Të enjten përfundon edhe paraqitja e kërkesave të qytetarëve për regjistrim, plotësim apo pastrim të të dhënave në Listën Zgjedhore.
Aktualisht kontrollin në listë e kanë kryer gjithsej 50.572 qytetarë. Për votimin në diapsorë, nga gjithsej 920 fletëparaqitje të dorëzuara në KShZ, 913 prej tyre janë miratuar me sukses nga ana e KShZ-së.
“Kontrollin në listën zgjedhore deri tash e kanë kryer gjithsej 50.572 qytetarë të shtetit, prej të cilave kanë sjellë 119 vendime për regjistrim në listë, 107 vendime për fshirje të të dhënave në listë si dhe janë bërë gjithsej 29 ndryshime të të dhënave në listën zgjedhore”,- tha zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
Nga KShZ me apel për qytetarët që nuk gjenden në listën zgjedhore, që sa më shpejt të drejtohen në njësitë rajonale apo në ueb faqen zyrtare të Komisionit për t’u bërë pjesë e listës zgjedhore.
“Ju bëjmë apel të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë që të dhënat e tyre t’i verifikojnë ose kontrollojnë në listën zgjedhore, atë ta bëjnë duke shkuar në ndonjërën nga zyrave rajonale, mirëpo ekziston edhe mundësia e kontrollit në ueb platformën e KShZ-së”,- tha zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
KShZ njofton gjithashtu se nga gjithsej 9 kandidatë të paraqitur për presidencialet e 21 prillit, vetëm 3 prej tyre kanë plotësuar kushtin dhe kanë arritur të mbledhin nënshkrimet e nevojshme për t’u kandiduar.
Stevo Pendarovski, kandidati i mbështetur nga shumica parlamentare, ka mbledhur 31. 729 nënshkrime, Gordana Siljanovska e mbështetur nga VMRO-DPMNE ka mbledhur 15.926 dhe kandidati i pavarur, Blerim Reka, i mbështetur nga ASh dhe Besa, ka mbledhur 11.128 nënshkrime.
ZEKIRIJA MEXHITI
