Maqedoni
Ligjet reformuese, anashkalimi rrezikon votat e Besës dhe ASh-së. VMRO-DPMNE: Të mërkurën formohen grupet e punës
11.03.2019 17:59
Takimi dypalësh mes kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe atij të VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickovski....

Takimi dypalësh mes kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe atij të VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickovskit, ka afruar këta të dy në drejtim të hartimit dhe miratimit të ligjeve reformues, por ka irrituar opozitën shqiptare. Ligjet e ashtuquajtura reformuese mund të mos marrin mbështetjen e Lëvizjes Besa dhe ASh-së nëse ato nuk konsultohen në kohë.
“Faktori shqiptar në përgjithësi, jo vetëm opozita shqiptare, është i përjashtuar nga ky proces dhe e ngremë si alarm në këtë fazë sepse e dimë që pa shqiptarët Maqedonia çdo herë do të ketë problem për të realizuar aspiratat integruese. Ne alarmojmë që prej tash të mundet qeveria të ketë qasje pozitive që mos të vijmë në situata të bllokojmë procese integrimi”,- tha Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa.
Edhe ASh e pakënaqur nga ligjet që hartohen pa konsensus të gjerë politik dhe vetëm për fasadë. Kërkon ndryshimin dhe plotësimin e pr/ligjit për Prokurorinë Publike, i cili parasheh inkorporimin e PPS-së në kuadër të Prokurorisë Publike.
“Qëllimi është njëjtë si në Ligjin për amnisti apo ndryshimet në Kodin Penal, të amnistohen të gjithë të dyshuarit të përfshirë në aktivitet kriminale dhe korruptive që dalin si rezultat i përgjimeve të paautorizuara”,- tha deputeti i ASh-së, Sureja Rashidi.
Në ndërkohë, VMRO-DPMNE paralajmëroi se të mërkurën formohen grupet e punës mes Qeverisë dhe opozitës maqedonase për përpilimin e ligjeve reformuese. Përfaqësuesit e dy palëve do të dakordojnë listën e ligjeve reformuese me prioritet, por jo vetë. Statusi i Prokurorisë Speciale dhe Ligji për Agjencinë për Siguri Kombëtare, janë dy çështje me interes të posaçëm për VMRO-DPMNE-së.
“Mendoj se deri në fund të javës do të kemi të gjitha detaje se kush do të marrë pjesë, me çfarë dinamike do të punojnë dhe normalisht se për cilat ligje me prioritet do të bisedohet. Tani kemi nevojë për rezultat cilësor dhe jo sasior që më vonë të mos funksionojë”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Përderisa LSDM nuk jep detaje nga takimi dypalësh para se t’i diskutojë në parti, kryeministri, Zoran Zaev, deklaroi se këto ligje janë të rëndësisë së veçantë për marrjen e datës për bisedime me BE-në.
SHPËTIM NUREDINI
