Maqedoni

Interpelanca për Oliver Spasovskin, Micevski: Me Spasovskin, rritje të krimit. Spasovski: Nuk vjedhim dhe nuk fshehim vrasjet sikurse VMRO

11.03.2019 18:35

Debat i ashpër vajti në kuvend për shkarkimin e ministrin të punëve të brendshme, Oliver Spasovskit....

Opozita e akuzoi atë për tenderë të dyshimtë, vrasje të pazbardhura, arrestime skandaloze, keqpërdorime të pozitës zyrtare dhe punësime partiake.
 
“Jemi dëshmitarë të vrasjeve të pazbardhura, zhdukje misterioze të qytetarëve, hakmarrje ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Edhe sa jetë njerëzish duhet të shuhen që Spasovski ta kuptojë se nuk është i aftë të udhëheqë me ministrinë, edhe sa vrasje do të duhet të ndodhin që Spasovski dhe LSDM të mos mbrojnë grupet kriminale që po verojnë në Shkup dhe mbarë shtetin”,- tha koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Akuzat u përgënjeshtruan si të rreme nga ministri Spasovski. Ai tha se nga marrja e postit ka arritur të kursejë mbi 1.5 milion euro, duke përmirësuar dukshëm kushtet e policisë, larguar aktivistë të VMRO-së me diploma të falsifikuara, ulur krimin dhe vrasjet.
 
“Kur kam pyetur të punësuarit e mi në sektorin për furnizime publike, një i punësuar i cili është edhe anëtar i VMRO-DPMNE-së më tha: ministër, t’iu them haptazi, është vjedhur shumë. Kemi ulje të krimit dhe vrasjeve. Ka mbetur vetëm një vrasje pa zbardhur dhe jo dhjetë. Për një vit e gjysmë nuk ka vrasje të fshehur, nuk ka organizim të skemës që bënte VMRO-DPMNE dhe Gordana Jankullovska, sikurse me vrasjen e Martin Neshkovskit”,- theksoi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
 
Por, deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshovski, akuzoi për veprim selektiv në zbardhjen e vrasjeve.
 
“Pse tani nuk vlejnë parimet për vrasjen e Martin Janushevit e që atëherë i thoshte Spasovski, Zaevi dhe Sheqerinska? I bie që dikush nuk përgjigjet për vrasje nëse është i afërt me Agjencinë për sigurim e i afërt me pushtetin”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Deputetët e shumicës për keqpërdorime të policisë drejtuan gishtin kah pushteti i kaluar.
 
“Ministri juaj i brendshëm, Mitko Çavkov, ishte pjesë e strukturave parapolicore si shtab në VMRO –DPMNE. Ju dhe struktura juaj u jepte para, armë personave të caktuar në DSK dhe polici dhe punonin nën komandën e shtabit të partisë dhe jo të MPB-së. Andaj, kur flisni për konstruksione të tilla, kërkoni kredibilitetin minimal nëse ua kanë lënë njerëzit tuaj në të kaluarën”,- u shpreh Frosina Remenski nga LSDM. 
 
Edhe BDI u shpreh kundër shkarkimit të Spasovskit në mungesë të argumenteve.
 
“Jam i zhgënjyer me shterpësinë e kreativitetit, pa argument, përsëritje të interpelancave të opozitës së dikurshme për situata krejt tjera dhe pajtim me faktin se opozita aktuale maqedonase nuk ka idenë”,- tha Xhevat Ademi nga BDI.
 
VMRO pjesë të debatit i bëri edhe furgonat e verdhë të shërbimeve sekrete, duke u bazuar në deklarimet e kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, se po ndiqet nga shërbimet. Spasovski hodhi poshtë pretendimet e tilla. Interpelanca për të erdhi si e vetmja pikë e rendit të ditës pas disa shtyrjeve për shkaqe të panjohura.
 
MERAL ISMAILI