FUTBOLL EVROPË

Fitojnë City dhe Reali, barazon Atletiko

26.08.2014 12:34

Skuadra kampione e Premierligës, Manchester City, iu ka dërguar edhe një herë sinjal rivalëve tjerë se mbetet pretendenti kryesor për titull në Angli.....

Ekipi i Pellegrinit ia doli që ta fitoj derbin e javës në Angli, duke qenë i papërmbajtshëm për Liverpoolin, skuadër të cilën e mposhti me rezultat 3 me 1.

Ishte malazezi Stefan Jovetiç që vazhdoi me paraqitje fantastike edhe në këtë ndeshje, duke shënuar dy gola, në minutën e 41’ dhe të 55’. Në minutën 69’ Pellegrini vendosi që në lojë të inkuadroi edhe Kun Agueron, i cili në të njëjtën minutë shënoi për 3 me 0.

Golin e vetëm për Liverpoolin e regjistroi mbrojtësi i Cityt, Pablo Zabaleta, duke shënuar autogol. City xhiron e ardhshme në shtëpi e pret Stoken, ndërsa Liverpoolin e pret një tjetër takim i vështirë, ku do të luaj mysafirë i Tottenhamit.

Real Madridi e nisi me fitore sezonin e ri në Primera Divison pasi mundi 2-0 Cordoba-n, por kjo nuk e ka kënaqur tifozërinë, e cila duket se nuk e ka harruar zhgënjimin në Superkupën e Spanjës.  Trajneri italian hodhi në fushën e lojës formacionin e tij më të mirë me Ronaldon, Bale, Benzema dhe Rodriguez në fazën sulmuese, ndërkohë që në mesfushë u aktivizua që nga minuta e parë edhe gjermani, Toni Kroos.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 30 pas një goli me kokë të Karim Benzema. Në 45 minutat e dyta ndryshoi loja e vendasve, të cilët ulën ritmin dhe përveç kësaj lodhja bëri që të mos ishin të qartë në fushë.

Goli i anuluar i Cordoba-s dhe loja jo e mire e lojtarëve të Realit, bëri që tifozët në “Santiago Bernabeu” të protestonin gjatë skuadrën e tyre. I përhershmi Ronaldo ishte ai që vulosi shifrat e kësaj ndeshjeje në minutën e 90, duke i dhënën mundësinë Realit t’i bashkohet Barcelonës në krye të klasifikimit me 3 pikë.

Pas fitoreve të Barcelonës dhe Realit ishte radha e kampionëve për të treguar vlerat e tyre në këtë javë të parë të kampionatit spanjoll. Por Atletico e Madridit nuk ka mundur të mposhtë Rayo Vallecanon.

Vendasit e Rayo-s arritën ta mbanin të paprekur portën e tyre, pavarësisht sulmeve të kampionëve në fuqi të Atletico-s. Atletico e nisi mirë ndeshjen me disa sulme të shpejtadhe me presingun e tyre karakteristik, por ishin të paqartë para portës së vendasve.

Ndërsa në 45 minutat e dyta, të besuarit e Simeones treguan shenja lodhje duke i lënë më tepër terren vendasve, të cilët u shfaqën disa herë rrezikshëm në portën e të riut, Moya, por dhe ata nuk mundën të shënonin dhe në fund rezultati ishte i bardhë 0-0.