Kulturë

Takimet XXVII poetike të Karadakut”, Xhevat Latifi - fitues i konkursit të sivjetmë letrar

12.03.2019 16:04

“Takimet e XXVII poetike të Karadakut” në fund të natës së dytë vazhduan me orën e madhe letrare,

“Takimet e XXVII poetike të Karadakut” në fund të natës së dytë vazhduan me orën e madhe letrare, në të cilën me poezitë e tyre konkurruese u prezantuan poetë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare.
 
Orën letrare të hapur e shpalli Sunaj Rahimi, kurse për rëndësinë e këtij manifestimi foli kryetari i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, Sevdail Demiri.
 
“Të dashura mikesha poete, të nderuar miq poetë, sonte jemi prapë bashkë këtu në Kumanovë për t’i lexuar krijimet tona më të reja, për t’i shfaqur ëndrrat përmes figurave poetike. Sonte jemi mbledhur sërish bashkë për t’i dëshmuar muzave të Apolonit, atyre mbrojtësve të krijimtarisë shpirtërore, që të vazhdojnë t’i mbështesin dhe frymëzojnë poetët tanë”,- tha ndër të tjera Sunaj Rahimi.
 
“Klubi i shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, ju e dini që tanimë 27 vjet me radhë është një nga kultivueset më të denja të kulturës, artit dhe të traditës shqiptare këtu në Kumanovë. Ne si klub shquhemi për nga tradita. Dje, ne kishim një aktivitet ku shënuam 110 vjetorin e Klubit Shqiptar të Kumanovës, ishte klubi i parë, shkolla, vatra e parë e arsimit shqip në këto treva me në krye Jashar Erebaran, me mësues dhe intelektualë tjerë kumanovarë. Ne themi se aty e kemi bazamentin e arsimit, kulturës shqiptare këtu në Kumanovë me rrethinë, por që e kemi vazhduar pastaj edhe përmes Klubit të shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” dhe gjitha këtyre aktiviteteve që po i organizojmë në vazhdimësi”,- potencoi Sevdail Demiri.
 
Në fund juria e manifestimit shpalli tre fituesit e Takimeve të sivjetme poetike të Karadakut. Vendi i parë i takoi Xhevat Latifit nga Gjilani me poezinë “Triptik për Kumanovën”, vendi i dytë Fatos Rushitit nga Kumanova me poezinë – “Grisje”, kurse vendi i tretë i takoi Rakela Zhogas nga Korça me poezinë “Përgjysmë shih”.
 
FATLUM AQIFI