Maqedoni
Osmani – Dimitriev: Ligj për mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë
12.03.2019 16:15
Mbikëqyrja e shërbimeve të sigurisë dhe zbulimit të përfshihet në një ligj të veçantë...

Mbikëqyrja e shërbimeve të sigurisë dhe zbulimit të përfshihet në një ligj të veçantë, i cili do të vijë para deputetëve pas zgjedhjeve presidenciale.
Ishte kjo një nga temat e diskutimit midis Komisionit për ndjekjen e komunikimeve dhe zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani, në kuvend. Kryetari i Komisionit, Emil Dimitriev, gjithashtu ka kërkuar përmirësimin e kushteve të Komisionit si dhe krijimin e dhomave të posaçme për monitorimin e këtyre shërbimeve.
Dimitriev tha se Komisioni nesër do të bëjë kontrollin e 7 aplikuesve për ekspertë dhe për një kohë optimale do të bëjë përzgjedhjen e dy prej tyre.
“Deri më tani mbikëqyrjet janë bërë nga anëtarët e Komisionit të cilët janë deputetë. Deri më tani kemi qenë për mbikëqyrje në Agjencinë Teknike Operative (ATO), në DSK, policinë financiare, Drejtorinë e Doganave. Jam ithtar i shpeshtimit të kontrolleve, pasi kjo do të ndikojë në rritjen e besimit drejt këtyre institucioneve”,- deklaroi kryetari i Komisionit, Emil Dimitriev.
Osmani u shpreh i gatshëm të shqyrtojë propozimet, ndërkaq komentoi edhe propozimin e deputetëve për financimin e Agjencinë Tekniko Operative (ATO) nga Agjencia për Komunikime Elektronike. Sipas tij, duhet të mendohet për financim të përhershëm të ATO-s.
“Një pjesë e mjeteve pa e dëmtuar thellësisht buxhetin e Agjencisë do të transferohen në ATO, mirëpo unë mendoj që kjo është një zgjidhje e përkohshme derisa të rimëkëmbet në një mënyrë funksionaliteti i Agjencisë, e pastaj do të duhet të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme për financim autonom të kësaj Agjencie”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Takimi i sotëm erdhi në prag të mbledhjes së Këshillit të Stabilizim Asociimit më 19 mars, e që konsiderohet si test për dinamikën e realizimit të agjendës së reformave.
MERAL ISMAILI
