Botë

ShBA, tërhiqet personeli diplomatik nga Venezuela

12.03.2019 20:11

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, urdhëroi tërheqjen e gjithë personelit diplomatik të SHBA-së, nga Venezuela...

Më 24 janar, SHBA e kishte zvogëluar në minimum stafin diplomatik atje.

Urdhri i ri u dha disa orë pasi Uashingtoni sanksionoi një bankë ruse, për shkak të marrëveshjeve të saj me kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë, PDVSA.

Këto vendime synojnë të rrisin presionin edhe mbi Karakasin, edhe mbi Moskën, e cila është një nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të presidentit të sfiduar të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe disa vende të tjera e kanë shpallur Maduron udhëheqës të paligjshëm dhe e kanë mbështetur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si lider të përkohshëm.

Sipas tyre, Maduro nuk është rizgjedhur në mënyrë të ligjshme vitin e kaluar, pasi kandidatët e opozitës nuk janë lejuar të garojnë.

Maduro e ka akuzuar Guaidon për përpjekje për grusht-shtet kundër tij me ndihmën e, siç ka thënë, "imperialistëve amerikanë".