FSSH: Shërbimet shëndetësore shënojnë përmirësim
Sipas raportit i cili përfshin 59 institucione shëndetësore prej të cilëve pesë janë private, intervenimet e ndërlikuara kirurgjike dhe interniste janë në rritje.....

Raporti vjetor për personat e hospitalizuar në Maqedoni, tregon se është rritur efikasiteti i shërbimeve shëndetësore, profesionalizimi i ekipeve mjekësore dhe pritja e pacientëve nëpër spitale është zvogëluar, thekson zëdhënësi i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Branko Axhigogov.
Sipas raportit i cili përfshin 59 institucione shëndetësore prej të cilëve pesë janë private, intervenimet e ndërlikuara kirurgjike dhe interniste janë në rritje.
“Vitin e kaluar kanë marrë shërbime shëndetësore spitalore gjithsej 223 mijë e 439 persona, që do të thotë 13 mijë e 300 më shumë se vitin 2012. Kjo do të thotë se listat e pritjeve janë zvogëluar dhe në praktikë shumica e pacientëve kanë marrë shërbimin shëndetësor. Më së shumti janë nga rajoni i Shkupit, ku shërohen 10 mijë e 643 persona”- deklaroi zëdhënësi i FSSH-së, Branko Axhigogov.
Qëndrimi mesatar i pacientëve nëpër spitale në nivel nacional ka shënuar rënie graduale nga 6,2 ditë në vitin 2009, deri në 5,5 ditë për vitin 2013. Kjo është një nga përfitimet kryesore nga aplikimi i metodologjisë së raportit vjetor shëndetësor, vlerësoi zëdhënësi i FSSH-së, Branko Axhigogov.
Ai tha se mesatarja e ndërhyrjeve të ndërlikuara ka qenë 1,09, që do të thotë ka rritje të vogël prej vitit 2012 dhe tregon profesionalizëm të madh të mjekëve. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
