Mogerini në OKB: Kosova ta heq taksën për mallrat serbe
13.03.2019 10:26
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së....

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se “Kosova duhet të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës”. Pasi të ndodhë kjo, Mogherini përsëriti se do të thërrasë menjëherë raundin e ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të arrihet marrëveshja ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve.
“Siç e dini, unë personalisht e lehtësoj dialogun. Por, dialogu nuk më përket mua, Bashkimit Evropian apo ndonjërit prej nesh rreth kësaj tryeze, ai i takon dy palëve në dialog. U takon atyre të arrijnë një marrëveshje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët. Në të njëjtën kohë, një marrëveshje përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”,- tha Mogherini, duke shtuar se, për arritjen e këtij qëllimi, është e gatshme të intensifikojë bisedimet me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.
Megjithatë, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, tha se një përfundim pozitiv i dialogut Beograd-Prishtinë, do të jepte edhe më shumë shpresë për të gjithë rajonin, si dhe do të ishte model dhe një frymëzim për Evropën dhe botën. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të shfuqizojnë ose të paktën të pezullojnë për një afat kohor tarifën ndaj mallrave serbe. Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Mogherini, që mos të ndërlidh vazhdimin e dialogun me taksën.
“Dialogu kishte dalë nga binarët shumë kohë para se të vendosej taksa. Mungesa e transparencës, inkurajimi i propozimit për shkëmbim territoresh dhe dështimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese – këto janë arsyet. Dialogu mund dhe duhet të rikthehet pa u ndërlidhur me tarifën”,- ka shkruar Haradinaj në një postim në Twiter.
