Boeing 737 MAX, ndalesë për fluturime në disa shtete

13.03.2019 10:52

Është rritur numri i shteteve dhe kompanive ajrore që kanë ndaluar fluturimet e aeroplanëve Boeing 737 MAX 8....

Është rritur numri i shteteve dhe kompanive ajrore që kanë ndaluar fluturimet e aeroplanëve Boeing 737 MAX 8, tre ditë pas rrëzimit të aeroplanit nga Etiopia, që la të vrarë 157 persona në bord.
 
Bashkimi Evropian, Norvegjia, Australia, Kina, Malajzia, Singapori, Indonezia, Brazili, Meksika, India dhe vende të tjera, kanë bërë të ditur se kanë ndaluar këtë lloj të aeroplanit për të fluturuar në hapësirat e tyre ajrore deri në një njoftim të ardhshëm.
 
Autoriteti i aviacionit civil evropian, tha se të martën ka lëshuar direktivën e sigurisë, duke pezulluar të gjitha fluturimet komerciale me këtë lloj të aeroplanëve nga operatorët e vendeve të treta brenda ose jashtë Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se është ende herët për të ndaluar fluturimet e Boeing 737 MAX 8.
 
Më 10 mars, një aeroplan Boing Max 8 nga Etiopia, u rrëzuar duke shkaktuar vdekjen e 157 personave. Ky ishte aksidenti i dytë fatal për më pak se pesë muaj. Boeing-u, prodhuesi më i madh i aeroplanëve në botë, tha se do të vendosë një softuer të ri në aeroplanët e tij të tipit 737 Max.