UKRAINË-RUSI

Ukraina shkon në zgjedhje parlamentare

26.08.2014 15:08

Presidenti i Ukrainës, ka shpërndarë Parlamentin dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, teksa forcat pro-qeveritare vazhdojnë të luftojnë me rebelët pro-rusë në lindje të vendit......

Në një fjalim televiziv, Poroshenko dha 26 tetorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Zgjedhjet e menjëhershme janë pjesë e planit tim të paqes. Shkak i shpërndarjes së Parlamentit është bërë fakti se shumë deputetë janë mbështetës të presidentit të rrëzuar, Viktor Yanukovych dhe se shumica e ukrainasve duan një Parlament të ri”- deklaroi presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Ndërkohë, ushtria ukrainase njoftoi se u përplas me autoblindat e rebelëve që hynë në vend nga Rusia. Ukraina publikoi video të ushtarëve rus të kapur në territorin e saj, por nga Ministria ruse e Mbrojtjes kanë thënë se ushtarët e kaluan kufirin aksidentalisht. Ushtarët rus të kapur nga ata ukrainas, kanë fajësuar politikën për gjithë atë që po ndodh.

"Unë nuk e kam parë se ku e kemi kaluar kufirin. Ata thjesht na thanë se ne po bënim një marshim (parakalim) 70 km gjatë këtyre tre ditëve”- theksoi ushtari rusë, Ivan Melchukov.

"Të gjithë ushtarët rus, të cilët janë duke bërë ato veprime këtu, nuk e kuptojnë se çfarë po bëjnë dhe pse i bëjnë të gjitha këto veprime. E gjithë kjo është e lidhur me politikën, dhe me paratë. Ne thjesht jemi viktima"- theksoi ushtari rus, Alexei Generalov.

Mbi 2 mijë persona kanë vdekur që nga fillimi i luftimeve mes forcave të rregullta ukrainase dhe separatistëve pro-rus në rajonet e Donjetskut dhe Luhanskut. Dy rajonet shpallën pavarësinë nga Kievi, pas aneksimit nga Rusia të gadishullit jugor të Krimesë nga Ukraina. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)