Xhaferi për vizitë në Rumani, takon ministrin e jashtëm rumun, Meleskanu

13.03.2019 11:34

Në kuadër të vizitës zyrtare në Rumani, me rastin e prezencës në aktin e ratifikimit të Protokollit.....

Në kuadër të vizitës zyrtare në Rumani, me rastin e prezencës në aktin e ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO-s, në Senatin e Rumanisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim bilateral me ministrin e punëve të jashtme të Rumanisë, Teodor Viorel Meleskanu.
 
Ministri Meleskanu theksoi se Rumania, deri tani ka ofruar mbështetje pa rezervë ndaj vendit tonë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, ndërsa tani me kryesimin rumun me Këshillin e BE-së, do të angazhohet drejtpërdrejtë që Republika e Maqedonisë së Veriut në qershor të marrë ftesë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
 
Kryeparlamentari Xhaferi nënvizoi se Republika e Maqedonisë së Veriut angazhohet për ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale të mira dhe konstruktive me Rumaninë, të bazuara mbi dialogun politik konstruktiv dhe transparent, marrëdhënie partnere dhe bashkëpunim të ndërsjellë, sidomos në planin kulturor, arsimor dhe ekonomik. Nga Rumania Xhaferi do të udhëtojë drejt Lituanisë, ku nesër edhe ky vend pritet të ratifikojë protokollin për anëtarësim në NATO. Xhaferi nga parlamentet e gjitha 29 shteteve anëtare të NATO-s, ka kërkuar të marrë pjesë në gjitha ratifikimet e Protokollit për inkuadrim të vendit në NATO.
 
Xhaferi deri tani ka qenë i pranishëm në parlamentet e Sllovenisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.