Maqedoni

Mosdekretimi i ligjeve, Qeveria: presidenti të respektojë kushtetutën; Boshnjakovski: Gazeta Zyrtare gaboi, publikoi ligjet me emrin e vjetër

13.03.2019 14:25

Qeveria pret respektimin e afateve të caktuara për reformat, që kushtëzojnë marrjen e datës së fillimit të bisedimeve me BE-në...

Ekzekutivi fton kryetarin e shtetit të respektojë Kushtetutën dhe të kontribuojë në rrugën eurointegruese të vendit.  
 
“Presim t’i arrijmë afatet e caktuara me qëllim që të marrim datë për fillimin e bisedimeve, sepse bëhet fjalë për paketë reformash kyçe. Njëkohësisht presim nga kryetari i shtetit ta respektojë Kushtetutën dhe të punojë në të mirën dhe progresin e shtetit tonë në drejtim të procesit eurointegrues. Nuk do të lejojmë qytetarët të jenë peng i vendimeve jokushtetuese të presidentit. Të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut  janë të detyruar ta respektojnë kushtetutën e shtetit, përfshirë edhe kryetarin e shtetit”,- deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Boshnjakovski pranon se Gazeta Zyrtare ka bërë lëshime kur ka publikuar vendimet ligjore të dekretuara nga presidenti, Gjorge Ivanov, më 26 shkurt me emrin e vjetër.
 
Të njëjtat, sipas tij, nuk është dashur të publikohen, pasi institucioni që drejtohet nga Ivanovi tanimë quhet zyrtarisht  “President i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
 
Por, ende po kërkohet zgjidhje se si do të veprohet me ligjet tashmë të publikuara me emrin e vjetër të institucionit më të lartë në vend. 
 
“Është konstatuar se ajo që është bërë është gabim, megjithatë për momentin akoma po rrjedh afati, bëhet shqyrtim specifik dhe pasi të kalojë analiza do të shohim se cilat janë hapat tjera rreth shpalljes së dekreteve me emrin e vjetër”,- theksoi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Ende nuk dihet ndërkohë se kur do të fillojnë me punë grupet e dy partive më të mëdha lidhur me propozim-ligjin për Prokurorinë Publike.
 
Zëdhënësi Boshnjakovski përkujtoi gazetarët se për pyetje që kanë të bëjnë me subjekte politike, përgjigje japin vetëm subjektet e jo ekzekutivi. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU