Maqedoni

Presidencialet, analistët kërkojnë cilësi në programet e kandidatëve

13.03.2019 14:56

Zgjedhjet presidenciale do të jenë luftë midis partive dhe jo të individëve, ashtu edhe siç pretendohet....

Dhe për të tërhequr votuesit, nuk është çudi që në fushatë të dëgjohen afera, madje edhe të luhet me kartën e marrëdhënieve ndëretnike, pasi çdo parti do të vejë në lojë tërë arsenalin që ka për të propaganduar atë që mendon se dëshiron të dëgjojë elektorati i tij, vlerëson profesori, Hasan Jashari, panelist në “Argument” në TVM 2. 
 
“Ne e dimë se popullata jonë më tepër do që të dëgjojë afera, do të dëgjojë spiunë, do të dëgjojë se ka tender, se kjo parti ka bërë këtë dëm, kjo ka bërë atë, të merret me përgojime dhe asnjëherë nuk e mëton kualitetin, asnjëherë nuk përpiqet të shohë më larg, t’i shohë fshehtësitë e politikës edhe mos të bimë në grackë, d.m.th. të votojë vazhdimisht njerëzit të cilët nuk janë të denjë”,- tha profesori universitar, Hasan Jashari.
 
Në këtë fushatë, sipas profesorit, Qashif Bakiut, mungon edhe elementi unifikues, i cili do të mblidhte qytetarët pa dallim etnie, feje dhe përkatësie partiake. Një figurë e tillë, sipas tij, akoma nuk është krijuar në Maqedoni.
 
“Kush do të kishte dashur që të përballet me Ismail Kadarenë në Shqipëri në zgjedhje presidenciale? A ka një  të tillë Maqedonia që do t’i tërheqë të gjithë nga loja nëse do të ishte paraqitur? Jo, sepse nuk kanë krijuar këto institucione një diçka të tillë, sepse qytetari i Maqedonisë kur e sheh një sukses sot ai thotë pas këtij suksesi qëndron partia. Elementi unifikues në këtë rast është e vështirë të arrihet dhe mendoj se ka nevojë për kohë për të arritur efektin Obama, të cilin e përmendnim në zgjedhjet presidenciale të mëparshme, që tentoi zotëri Imer Selmani ta hedh në lojë, por megjithatë nuk e pati efektin e duhur”,- deklaroi profesori universitar, Qashif Bakiu.
 
Profesori, Shpëtim Latifi, thotë se në këto zgjedhje testohet ideja e kandidatit  konsensual të BDI-së, por edhe demokracia, test për të parë se në çfarë niveli është demokracia në vend dhe a do t’ia dalim të votojmë për kandidatin dhe jo për përkatësinë etnike apo partiake të tij.
 
“Këtu ose do të konfirmohet koncepti i BDI-së për kandidat mbipartiak, sepse unë jam thellësisht i bindur dhe gjithë opinioni shqiptar, që edhe në të kaluarën shqiptarët kanë dëshmuar që dinë të votojnë për kandidat për president joshqiptar, sepse gjithmonë në historinë e Maqedonisë prej kur ekziston si shtet i pavarur, shqiptarët e determinojnë fituesin në zgjedhjet presidenciale, ose do të delegjitimohet ky parim dhe trupi votues shqiptar në rrethin e parë do të votojë me një shumicë dërmuese kandidatin shqiptar”,- u shpreh profesori universitar, Shpëtim Latifi.
 
Panelistët thonë se më komod gjatë fushatës do ta ketë kandidati shqiptar, Blerim Reka, në mungesë të presionit për fitore ose humbje. Bojkotin e mundshëm të rrethit të dytë të zgjedhjeve nga ana e VMRO –DPMNE, profesorët e konsiderojnë si opsion të pamundur.
 
MERAL ISMAILI