Maqedoni
Zgjedhjet shtyjnë përzgjedhjen e koncesionerit, me “Drisllën”do të menaxhojë Qyteti i Shkupit
13.03.2019 15:21
Deponia “Drislla” vite me radhë ka punuar pa e avancuar teknologjinë e saj dhe pa i respektuar standardet mjedisore...

Koncesioneri italian “FCL AMBIENTE”, që ka menaxhuar deponinë “Drislla” që nga viti 2012, nuk ka respektuar marrëveshjen dhe nuk ka investuar në deponi 62 milion euro, siç është dashur të bëjë.
Kjo ka bërë që qyteti i Shkupit t’ia marrë të drejtën e menaxhimit me deponinë italianëve dhe e njëjta do t’i ndahet konzorciumi gjerman “SCHOLZ AG”, si fituese e tenderit të hapur.
Por, këshilli i Shkupit nuk ka marrë ende vendim për koncesionerin e ri, për shkak të periudhës parazgjedhore në të cilën ndalohet nënshkrimi i kontratave.
Deri në dhënien e vendimit për koncesionierin e ri, me deponinë do të menaxhojë vetë qyteti i Shkupit, që ka 20% të aksioneve në këtë deponi.
“Vendimi ynë dhe rekomandimi te këshilli është që “Shollz” të jetë partneri i ri i qytetit, për periudhën që jepet koncesioni. Kam dhënë urdhër te administrata e qytetit që ta rimarrë udhëheqjen e Drisllës nga ana e qytetit të Shkupit deri në përfundimin e procedurës për koncesionerin e ri, kështu fillon procedura për daljen e koncesionerit italian nga “Drislla” dhe qyteti do të menaxhojë me deponinë deri në muajin maj kur pritet të sillet vendimi për zgjedhjen e “Shollz””,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Edhe Prokuroria Publike Themelore - Shkup ka hapur lëndë për punën e deponisë për veprën penale “ndotje të mjedisit jetësor dhe natyrës”.
Por, rasti ende është në fazën parahetimore.
GYLTENE SINANI
