Maqedoni
Bakteria “MRSA”, ISHP: S’ka raste të reja. Shërohet me antibiotikë
13.03.2019 16:30
Edhe përkundër zbulimit të një dite më parë të 4 fëmijëve të infektuar me bakterien “MRSA”....

Edhe përkundër zbulimit të një dite më parë të 4 fëmijëve të infektuar me bakterien “MRSA” gjatë një kontrolli rutinor nga inspektorati sanitar dhe shëndetësor në çerdhen “Snezhana” dhe në Sh. F. “Gjorgjia Pulevski” në komunën e Butelit, nga Inspektorati Shëndetësor thonë se nuk ka njoftime për të infektuar të tjerë gjatë ditës nga kjo bakterie.
“Gjatë ditës së sotme nuk ka pasur të paraqitura raste të reja të infektuar me bakterien “MRSA”. Gjatë ditës kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me inspektoratin sanitar dhe shëndetësor nga atje nuk ka raste të reja, por as te ne si institut i shëndetit publik nuk është paraqitur ndonjë rast me këtë bakterie”,- tha Zharko Karaxhovski nga Instituti i Shëndetit Publik.
Bakteria “MRSA” konsiderohet një bakterie e rrezikshme e cila shkakton infeksione në lëkurë veçanërisht te personat me imunitet të dobët. Autoritet paralajmërojnë se nuk ka vend për panik, pasi janë marrë të gjitha masat e nevojshme.
Mjekët sqarojnë se edhe përkundër specifikave të veçanta, bakteria MRSA kurohet me medikamente të rregullta dhe me pomadë të thjeshtë antibakteriale, por i rëndësishëm është izolimi i të infektuarve.
“Kjo bakterie kërkon një trajtim të posaçëm, sepse përhapja virusale e saj është e madhe dhe e dyta kërkon izolim. Çdo person që është i prekur nga kjo bakterie, duhet patjetër të izolohet që të mos ketë kontakt me persona të tjerë. Trajtimi duhet të bëhet tek mjeku amë përmes antibiotikëve dhe zgjat të paktën 10 ditë dhe në momentin që vërtetohen se në brisin e marrë në hundë dhe fyt te pacienti nuk ka prani të kësaj bakterie, atëherë themi se bakteria nuk ekziston te personin në fjalë”,- theksoi Zharko Karaxhovski nga Instituti i Shëndetit Publik.
Nga Inspektorati sanitar këshillojnë dezinfektimin e vazhdueshëm të objekteve, mirëmbajtjen e higjienës personale të fëmijëve, pastrimin e rregullt të duarve dhe ajrosjen e rregullt të hapësirave ku qëndrojnë më shumë njerëz.
ZEKIRIJA MEXHITI
