Maqedoni
Pr/ligji për funksionarët, Man¬çevski: depolitizim po, por programi i qeverisë do zbatuar.
13.03.2019 16:48
Administrata e politizuar është një nga problemet e vazhdueshme në Maqedoninë e Veriut...

Kjo është thënë zëshëm nga komuniteti evropian, nga SIGMA, por edhe nga qytetarët. Qeveria vlerëson se Ligji i ri për funksione të larta drejtuese do të depolitizojë në masë të madhe administratën.
Por, ministri Mançevski pranon se edhe përkundër përkufizimit të saktë se çfarë është funksion i lartë dhe çfarë është emërim politik, politika nuk mund të largohet tërësisht nga funksionet e larta publike.
“Të mos ushqehen iluzione, se nga ajo që ishte përpara keqpërdorim i sistemit, ku gjithçka ishte e politizuar dhe se tani plotësisht duhet ta largojmë politikën nga funksioni i lartë udhëheqës. Çfarë dua të them me këtë, dua të them se funksionarët në vende të larta, udhëheqësit e institucioneve, do të duhet të zbatojnë programin e qeverisë së caktuar e cila në atë moment qeveris me vendin”,- deklaroi ministri i administratës dhe shoqërisë informatike, Damjan Mançevski.
Për të kontrolluar rezultatet e drejtuesve të rinj, përgjegjës do të jetë Komisioni për funksione të larta drejtuese, një trup me 5 anëtarë me mandat gjashtëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Edhe ata do të zgjidhen me konkurs publik.
“Kandidati për anëtar në Komision duhet t’i përmbush edhe kushtet tjera joformale. Të mos i nënshtrohet presionit politik apo presioneve tjera, të ketë aftësi menaxhuese, të ketë standarde të larta morale dhe reputacion të lartë shoqëror”,- u shpreh sekretari shtetëror në MSHIA, Jahi Jahiu.
Nga Qendra për menaxhim me ndryshimet janë optimistë se ligji do të departizojë dhe depolitizojë në masë të madhe administratën dhe institucionet.
“Deri tani, i gjithë procesi i monitorimit të funksionarëve është bazuar në vlerësimin e zyrtarëve administrativë dhe kurrë nuk është kërkuar përgjegjësi nga krerët e institucioneve”,- tha Neda Maleska nga Qendra për menaxhimin me ndryshime.
Implementimi i këtij ligji në vitin e parë do të kushtojë 200 milion euro. Propozim ligji është nxjerrë në debat publik për të dëgjuar edhe vërejtjet dhe sugjerimet e palëve të interesuara.
Propozim-ligji është i publikuar edhe në ENER, ku të gjithë mund të japin vërejtjet e tyre eventuale para se të dërgohet për miratim.
ERSAN PAJAZITI
